Transmetuar më 19-07-2020, 10:47

Fatmir Frashëri, një ndër legjendat e "Tironës" që asokohe quhej "17 Nëntori", u nda nga jeta si sot një vit më parë.

Kryeministri Edi Rama e ka nisur kështu një mesazh përkujtimi ndaj tij.

Rama, edhe ai ish-sportist i para viteve ’90, ka rikujtuar sot 1 vit pas ndarjes nga legjendën bardheblu, Fatmir Frashërin, përmes një mesazhi që bëri publik në Facebook.

Rama rikthen kujtimet e rinisë, kur e ka njohur Fatmir Frashërin dhe thotë se më pas pati mësuar shumë prej tij.

Mesazhi i plotë i kryeministrit Edi Rama, sot në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fatmir Frashërit:  

Por rasti e solli ta njihja personalisht shumë më vonë se sa koha e largët, kur mbante shiritin e kapitenit në mes të gardhit mbrojtës të skuadrës kampione. E gjeta një ditë në studion e mikut tonë të përbashkët, piktorit Ramadan Karanxha, ku po dëgjonin muzikë klasike në gramafonin heroik të Danes e po flisnin për violinistin e famshëm Yehudi Menuhin!

Qysh atëherë u takuam ne kohë të ndryshme – mora prej tij këshilla të vyera për stërvitjet e forcës, kur luaja me skuadrën e parë të Dinamos, ndërkohë që profesori ishte traineri i futbollit dinamovit dhe takoheshim tek godina e klubit.

Mbetet në kujtesën time si një personazh i veçantë i botës së sportit shqiptar, një ndër anglishtfolësit e rrallë të asaj kohe, njeri studioz dhe i apasionuar pas artit, përveçse pas futbollit të cilit i kushtoi tërë jetën e tij profesionale. Ai u nda nga jeta si sot një vit më parë, duke lënë gjurmën e tij të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar, në kujtesën e tifozëve të "17 Nëntorit" e të Kombëtares kuqezi, të lojtarëve të shumtë që stërviti me diturinë e tij të spikatur dhe të miqve që patën fatin ta njohin nga afër. Të PAHARRUESHËM!

/NOA.al