Transmetuar më 19-07-2020, 00:33

Patinatorja Ekaterina Alexandrovskaya, ruse me origjinë, e cila garoi për Australinë në Lojërat Olimpike të vitit 2018, vdiq të shtunën në Moskë, në moshën 20-vjeçare.

Lajmin e bëri publik Bashkimi Ndërkombëtar i Patinimit. “Jemi të shokuar nga lajmi i humbjes se Ekaterinës”, tha presidenti i organizatës, Jan Dijkema, në një deklaratë.

“Ajo ishte një patinatore e talentuar dhe i gjithë komuniteti ynë do të ndjejë mungesën e saj”.

Mediat ruse shkruajnë se ajo u hodh nga dritarja e apartamentit të saj, madje se është gjetur edhe një letër si mesazh lamtumire. Prej disa kohësh, ajo kishte probleme shëndetësore.

Alexandrovskaya garonte prej vitit 2016 me australianin Harley Windsor. “Fjalët nuk mund ta përshkruajnë se si ndihem tani. Jam i dërrmuar nga humbja e papritur e Katias”, shkroi ai në Instagram.

Të dy kishin fituar Kampionatin Junior të Patinazhit në vitin 2017, si dhe morën pjesë në Olimpiadën e vitit 2018.