Transmetuar më 16-07-2020, 16:58

Pas shumë kohësh ndërprerje, ka rinisur sot dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Ndryshe nga herët e kaluara, Kosova do të përfaqësohet nga Kryeministrit Avdullah Hoti, i cili do takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Dialogu ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Pak përpara takimit, Borrell ka deklaruar:

“Më vjen mirë që shoh se BE-ja është kthyer dhe ka marrë në dorë timonin e këtij procesi. Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Kosovës janë sot me ne këtu në Bruksel për takimin e parë fizik  dhe duke u takuar për të dytën herë brenda javës, dy liderët treguan angazhimin e tyre të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis tyre”.

Kryeministri Hoti bëri të ditur se palët gjatë këtij komunikimi në distancë kanë rënë dakord për axhendën e takimit.

Ai shtoi se pala kosovare shkon në të për të arritur një marrëveshje përfundimtare e cila përfshin njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. /k.k/noa.al/