Transmetuar më 16-07-2020, 12:10

OPINION nga Mentor Kikia

Në Shqipëri janë duke u zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. Po zhvillohen me dyer të mbyllura, jo për shkak të rrezikut nga “Covid 19”. Se kush do të jetë në qeveri dhe kush në opozitë, nuk do të përcaktohet me votë, por me mekanizma të tjera.

Ligji dhe skemat!

Në lojë janë tri skuadra, PS dhe dy opozitat, PD + LSI dhe opozita parlamentare. PS po dikton ligje që ta favorizojnë atë dhe të dëmtojë dyshen PD-LSI. Në ndihmë i vjen opozita e re. Ajo e di që është një përdorimshe, ndaj dhe do të bëjë gjithëçka të shndërrohet në faktor.

Por si?

Duke u bërë opozitë e vërtetë. Për këtë duhet të bëjë vend, duke shtyrë PD-LSI-në, me ndihmën e PS-së. Partitë e projektuara të Murrizit dhe Rudina Hajdarit, janë gati të bëjnë pak me “djallin” për të mbijetuar. Ndërsa një shkarkim i mundshëm i Metës do ta radikalizonte opozitën, do ta bënte më nervoze dhe të paqetë për të marrë vendime të rëndësishme.

Në një skenar ekstrem, PD dhe LSI mund të mos hyjnë në zgjedhje. Por zgjedhjet do të mbahen pasi ka pluralizëm: PS, partitë e reja parlamentare dhe ca fragmente opozitare që kanë dalë nga PD, do ta bënin skenën politike shumëngjyrëshe dhe të pranueshme nga ndërkombëtarët.

Në këto zgjedhje nuk po garohet me projekte për zhvillimin e vendit, por me projekte për ti bërë gropën kundërshtarit, që të kesh të sigurtë fitoren. Padyshim edhe kjo është pjesë e luftës politike. Por do të ishte më mirë sikur qytetarët të vendosin për atë që do ti qeverisë, mbi idetë që ata kanë për të ardhmen e Shqipërisë.

Duket si ai kampionati i futbollit ku vendi i parë është siguruar me ndihmën e federatës dhe luftohet më shumë për vendin e dytë.

E di që do të thoni, që çjanë këto dokrra, kur në demokraci pushtetin e përcakton populli me votë. Dakord jam, populli do të votojë, por do të votojë thjeshtë sa për të noterizuar atë që do të jetë vendosur më parë me dyer të mbyllura dhe të sanksionuara edhe në ligje pastaj.

/NOA.al