Transmetuar më 16-07-2020, 00:32

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka anuluar përpjekjet për të kthyer në vendet e tyre studentët e huaj që vitin e ardhshëm shkollor mund të jenë të detyruar të ndjekin studimet përmes internetit si rezultat i pandemisë.

Presidenti amerikan Donald Trump, bëri kështu një hap prapa dhe u tërhoq nga vendimi për të revokuar vizat ndaj studentëve të huaj. Administrata njoftoi zyrtarisht të mërkurën se anuloi vendimin e një jave më parë.

Gjykatësja federale në Masaçusets, tha se ishte arritur një zgjidhje mes autoriteteve amerikane dhe Universitetit Harvard e Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, të cilët kishin ngritur padi kundër administratës Trump lidhur me politikën për dëbimet e studentëve të huaj.

“Administrata ka pranuar të shfuqizojë vendimin, si dhe çdo zbatim të tij”, tha gjykatësi federal, Allison Burroughs, gjatë një seance të shkurtër gjyqësore.

Sipas gjykatëses, marrëveshja anulon rregulloren e re dhe kthen status kuonë. Universitetet ngritën padi me argumentin se rregulloret e reja ishin të paligjshme pasi ndikonin negativisht në institucionet arsimore.

Më shumë se 1 milion studentë të huaj, mes tyre dhjetëra mijë shqiptarë, ndjekin studimet në SHBA dhe shumë institucione të arsimit të lartë mbështeten financiarisht në të ardhurat nga këta student, të cilët në shumë raste paguajnë koston e plotë.

Rregullorja e anuluar u argumentuar nga autoritetet si reagim ndaj koronavirusit, që kishte detyruar ndalimin e mësimit në mjedise shkollore. Autoritetet federale thanë se kjo e bënte të nevojshme largimin e studentëve nga SHBA dhe vazhdimin e mësimit në vendet e tyre online.

Më 7 korrik, Shtetet e Bashkuara njoftuan se nuk do të japin viza për studentët ndërkombëtarë, nëse mësimi i tyre do të zhvendoset online, për shkak të koronavirusit. Këshilli Amerikan i Arsimit, i cili përfaqëson udhëheqësit e rreth 1,700 institucioneve të arsimit të lartë, e kishte cilësuar udhëzimin si “të tmerrshëm”.