Transmetuar më 15-07-2020, 15:25

Nga dita e sotme, mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura bëhet e detyrueshme.

Vendimi u bë publik nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë.

“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit”, tha ministrja Manastirliu.

Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, policia e shtetit, policia bashkiake, strukturat e inspektoriateve shtetërore, do të penalizojnë me gjobë shkelësit. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lek të reja për çdo thyerje të rregullit.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj mase që ndërmerret me qëllim mbrojtjen e shëndetit.

“Detyra dhe qëllimi ynë kryesor është ruajtja e shëndetit. Në funksion të këtij qëllimi, kemi miratuar edhe këtë Akt Normativ dhe për të cilin kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Përdorimi i maskës ka një efikasitet të lartë në kufizimin e përhapjes së virusit, mbështetur kjo dhe në rekomandimet e Qendrës Europiane te Kontrollit të Sëmundjeve, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe e vërtetuar nga eksperienca e shumë vendeve. ‘Sakrifica’ që kërkohet prej jush nuk është mbyllja. Ajo çfarë kërkohet është vendosja e maskës, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të afërmit”, – tha Manastirliu.

Gjatë komunikimit për publikun, Ministrja Manastirliu deklaroi se sistemi shëndetësor po përgatitet për t’i bërë ballë kësaj situate. /k.k/noa.al/