Transmetuar më 15-07-2020, 14:34

Ministria e Shëndetësisë tha sot se si pasojë e Covid -19, fatkeqësisht katër qytetarë të tjerë humbën jetën.

Një prej tyre mësohet se është edhe një grua nga Kruja, një 49-vjeçare, nënë e 7 fëmijëve, e cila punonte në një fasoneri, aty ku besohet se u infektua.

Mësohet se 49-vjeçare nga Kruja, e cila qëndronte e intubuar prej një jave, quhej Florina Elbasani, ndërsa historia e saj tërhoqi vëmendjen, pasi fëmijët e saj dhe e motra i festuan ditëlindjen në spital, edhe pse ishte në koma.

Brenda spitalit infektiv ata i dërguan një buqetë me lule në të cilën kishte edhe një letër ku shkruhej: ‘Edhe 100 e shtrenjta jonë’.

Po ashtu shtëpia 49-vjeçares i ishte dëmtuar nga tërmeti. Florina ishte gjithashtu nëna e 7 fëmijëve.

Bora Mema, aktiviste e njohur e të drejtave të punëtorëve në vendin tonë, konfirmoi lajmin se një nga katër viktimat ishte punëtore fasonerie.

"Një punëtore fasonerie nga Kruja, 49 vjeç, nënë e 7 fëmijëve, e infektuar në vendin e punës vdiq nga covid-19 pas 10 ditësh intubim", tha ajo.

"Me ç’duket prodhimi i plaçkave dhe këpucëve për eksport është më i rëndësishëm se jeta e 100.000 punëtorëve të këtij sektori të pasindikalizuar. Po ndryshimet e Kodit Penal a do e prekin pronarin dhe kryeministrin e vendit? Apo veç protestuesit kur dalin për teatrin, universitetin dhe lumenjtë?", reagoi aktivistja duke ironizuar politikat mbi manaxhimin e pandemisë.

/NOA.al