Transmetuar më 15-07-2020, 09:39

Eugena Tomini, shefe e Survejancës e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në IShP thotë se përdorimi i maskës në ambientet e mbyllura do të përcaktohet sipas sipërfaqeve të përcaktuara të distancimit fizik dhe respektimit të kësa hapësire.

Ajo sqaroi vendimin e marrë për të bërë me detyrim vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura, si një masë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të kufizuar përhapjen e COVID- 19.

“Të gjithë ambientet e mbyllura që nuk kanë hapësirë me përqindjet përkatësisht sipas subjekteve që ata zotërojnë sigurisht që do të jetë një element vendimtar për mbajtjen e maskës brenda ambienteve", u shpreh Tomini.

"Gjithë insituticionet publike, dhe jo publike që operojnë me hapësira të mbyllura dhe që nuk kanë hapësirën e duhur për t’u përcaktuar sipas niveleve të sigurisë si ambientet e hapura, detyrimisht do të mbajnë të gjithë maskën pavarësisht nëse do të kenë sipërfaqe të përcaktuara mirë përsa i përket edhe distancimit fizik".

"Një ambient i mbyllur pavarësisht lehtësimit të një sipërfaqeje për distancimin fizik nuk mund të lejojë që të mos mbahet maska. Brenda çdo ambienti të tillë maska do të jetë detyrim”, tha Tomini e ftuar në studion e Abc News.

Më tej, përsa i përket mbajtjes së maskave në ambientet e shtëpisë, Tomini tha se është e domosdoshme përdorimi i saj në rast se bëhet fjalë për raste të dyshuara me koronavirus deri në periudhën e përfundimit të karantinimit.

“Në ambientin e shtëpisë duhet mbajtur një maskë për personat që janë në vetëizolim, që kanë shenjat minimale, mesatare dhe monitorohen nga strukturat përgjegjëse dhe një person që i shërben një tjetri që është me shenjua të dyshuara dhe është i vetëizoluar në shtëpi. Sigurisht personi duhet të mbajë patjetër maskën për të gjithë periudhën e karantinimit apo 21 ditë për të cilin ai negativizohet“, tha Eugena Tomini, lidhur me vendimin më të fundit mbi maskat.