Qeveria greke flet për kufijtë me Shqipërinë dhe lëvizjen mes dy vendeve
Transmetuar më 14-07-2020, 05:14

Qeveria greke po konsideron Shqipërinë si një vatër të rrezikshme infeksioni ndaj nuk do të lejojë për një afat të pacaktuar, qarkullimin e lirë të të gjithë shtetasve shqiptarë në drejtim të Greqisë.

Për më tepër, edhe ato kategori që aktualisht lejohen, do t’i nënshtrohen çdo ditë e më shumë testimeve masive për Covisd-19.

Steliso Petsas, zëdhënësi i qeverisë greke, njoftoi të hënën se sa i përket Shqipërisë, do të shtohen kontrollet mjekësore në Kakavijë dhe në pikën e Kapshticës, ndërsa nuk përmendi doganën e "Tri Urave" në Përmet.

“Përforcohen kontrollet në pikat e hyrjes me Shqipërinë. Të shtunën dhe të dielën u kryhen 1011 kontrolle mjekësore në doganën e Kakavijës dhe do të vazhdojnë në ditët e ardhshme edhe në atë të Kapshticës”- tha Petsas.

Kështu në vetëm 48 orë, janë kryer më shumë se njëmijë tamponë, ose deri tre herë më shumë se ç’bën e gjithë Shqipëria në ditë.

Steliso Petsas, zëdhënësi i qeverisë greke, është treguar i paqartë në fatin e kufijve për shqiptarët, por kur tha se gushti dhe shtatori janë decizivë për grekët që të përfitojnë nga turizmi, la të kuptohet se bllokimi me Shqipërinë mund të vazhdojë jo më shumë se deri në 31 korrik.

Më herët, në fund të qershorit, Petsas shpalli vendimin e qeverisë greke për rihapjen e të gjithë kufijve tokësorë me Shqipërinë, pa ndaluar asnjë qytetar. Por disa orë më vonë, ky vendim ra poshtë me një njoftim të ambasadës greke në Tiranë. NOA.al mësoi nga zyrtarët grekë, se vendimi për rihapjen e kufijve u raportua me shpejtësi në Bruksel, dhe Bashkimi Europian paralajmëroi Athinën për sanksione nëse shkelte vendimin e BE për mbyllje pa afat të kufijve me Shqipërinë. Po ashtu, qeveria greke pati presion edhe nga bashkitë, ndër të cilat ajo e Epirit që mbulon Janinën, kryetari i të cilës u ankua se rihapja e kufijve për shqiptarët mund të sillte vatra të reja infeksioni.

Sakaq, qeveria greke njoftoi rihapjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe më 15 korrik, me Suedinë më 22 korrik dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1 gusht 2020.

Aktualisht Greqia, ashtu si muajt e parë të pandemisë, regjistron shifra të vogla të infektuarish. 24 orët e fundit kanë rezultuar 24 raste të reja, prej të cilave 6 në Ksanthi, 4 në Kostur dhe 3 në Selanik. Një e treta e tyre ishin të ardhur nga jashtë vendit. Greqia nuk regjistron asnjë jetë të humbur që nga fundi i qershorit.

Loading...