Transmetuar më 13-07-2020, 13:12

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, publikon fotografinë e një prej 85 pacientëve të prekur me koronavirus, të cilët po trajtohen aktualisht në spitalin Infektiv.

Ajo paralajmëron që të tregohet kujdes, pasi rrezikohet seriozisht jeta.

Gjithë mesazhi i saj jepet teksa ndan fotografinë e një infermiereje, e cila asiston një pacient në gjendje të rëndë.

“Kjo është kryeinfermiere Merita Sefa, e cila po i shërben njërit prej pacientëve, që aktualisht po trajtohet për simptomat e rënda të virusit të rrezikshëm në spitalin infektiv. Nuk është lojë, rrezikohet jeta! Sepse, siç thonë mjekët, të cilët janë çdo ditë pranë pacientëve, sëmundja është tinzare! A mundemi ne ta kufizojmë përhapjen e Covid-19? Po, nëse secili prej nesh tregon kujdes në përditshmëri”, shkruan ministrja.

Manastirliu shton se nuk është zgjidhje trajtimi në spital, por parandalimi duke respektuar distancën, duke mbajtur maskën dhe duke ruajtur higjienën vetjake dhe kolektive.

Situata në spitalin infektiv paraqitet e rënduar, ku në 24 orët e fundit ka shtim të pacienteve të shtruar. Aktualisht janë 85 pacientë të shtruar në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 585 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 117 raste pozitive. Në vendin tonë aktualisht janë 1462 persona aktivë me Covid-19, dhe 95 viktima.

Ndërkohë shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 635; Durrës 218; Shkodër 186; Vlorë 108; Lezhë 75; Kukës 47; Berat 41; Korçë 40; Elbasan 35; Fier 33; Gjirokastër 24 dhe Dibër 20. /a.y/noa.al