Transmetuar më 12-07-2020, 11:30

Katër të vdekur u regjistruan 24 orët e fundit dhe një analizë e të dhënave të dy ditëve të fundit, sugjeron se kush futet në intubim nuk del më i gjallë

Të shtunën 11 korrik ministria e Shëndetësisë pasi raportoi për 4 të vdelir në spitalin infektiv, njoftoi se gjendeshin 72 pacientë, mes të cilëve 8 në terapi intensive me 4 të intubuar.

24 orë më pas, mesditën e sotme, kjo ministri raporton se 4 persona kanë vdekur sërish. Dhe sërish tek infektivi gjenden sot, 72 të shtruar, nga të cilët 8 në gjendje terapie intensive ku 4 janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë: dy prej tyre 57-vjeçare nga Shkodra dhe Dibra, një pacient 75 vjeçar nga Durrësi dhe një paciente 81 vjeçare nga Tirana. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk tha nëse të ndjerët kishin sëmundje të tjer. Megjithatë noa.al u informua nga MSH se të katër personat që humbën jetën vuanin nga sëmundje të tjera.

Sakaq vijojnë shifrat e larta të të infektuarve.  Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot se situata e COVID19 në vendin tonë vijon të jetë serioze ndaj apeloi se respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19.

Në 24 orët e fundit, janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

COVID-19 – Statistika (12 Korrik 2020) Testime totale 32353 Raste pozitive 3454 Raste të shëruara 1946 Raste Aktive 1415 Humbje jete 93 (Qarku Tiranë 48, Durrës 15, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 15, Kukës 1, Elbasan 4, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 591 Durrës 223 Shkodër 180 Vlorë 113 Lezhë 63 Fier 29 Kukës 43 Korçë 32 Elbasan 36 Berat 39 Gjirokastër 25 Dibër 18