Transmetuar më 12-07-2020, 00:29

Për afro tre muaj, shqiptarët u mbyllën si askush tjetër në botë, brenda shtëpive, sepse qeveria nuk ishte gati të përballonte qoftë dhe 100 të shtruar në spital me COVID-19. Në fund të majit nisi hapja e gjerë dhe Rama vendosi të mos flasë më për pandeminë.

Qytetarët u lëshuan jashtë shtëpive pas një izolimi të paprecedentë dhe kjo pasoi zgjerimin e vatrave të infeksionit e për rrjedhojë shumëfishimin e rasteve me COVID-19.

Kjo situatë nxiti Bashkimin Europian që të rikthejë atë periudhë të errët që zgjati deri në dhjetor 2010 të privimit të lëvizjes për shqiptarët.

Tani, shqiptarët sërish nuk dalin dot jashtë vendit. Dhe për shkak se ka plot që nuk e kanë të qartë pse po ndodh kjo, Policia e Shtetit informon qytetarët lidhur me mundësitë e tyre për të udhëtuar jashtë vendit dhe situatën në pikat kufitare.

Sikurse bëhet me dije në njoftimin e Policisë së Shtetit, shqiptarët mund të lëvizin pa kufizime apo kërkesa specifike vetëm në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vijojnë të mbeten të mbyllur kufjtë për udhëtimin në zonën Shengen.

Sipas njoftimit të policisë drejt Malit të Zi mund të lëvizin vetëm personat që posedojnë një dokument të lëshuar nga laboratorët e akredituar të testimit të COVID-19, jo më shumë se 48 orë më parë, ku vërtetohet se rezultojnë negative.

Ndërsa me Greqinë lejohet kalimi vetëm për shtetasit e pajisur me leje qëndrimi dhe ata të pajisur me pasaporta greke, kamionë dhe për rastet të autorizuara nga autoritetet shtetërore greke.

Zona Shengen vijon të mbetet e ndaluar për shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve të konfirmuara nga autoritetet e këtyre vendeve.

Situata është krejt e kundërt me vendin tonë. Për të udhëtuar drejt Shqipërisë kufiri ēshtë i hapur pēr të gjithë shtetasit e huaj apo shqiptarë, pa asnjë detyrim karantinimi apo testimi.

Lind pyetja, përse qeveria jonë nuk zbaton reciprocitetin me vendet që na ndalojnë. Dhe vallë, a llogaritet nga qeveria shqiptare që shumë vatra infeksioni mund të barten nga të huajt që vijnë gjithandej?