Transmetuar më 11-07-2020, 05:30

Në Kroaci u njoftua zyrtarisht nisja e dhurimit vullnetar të plazmës së gjakut nga personat që i kanë mbijetuar sëmundjes COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi i ri.

Hulumtimet klinike kanë treguar se personat që janë shëruar nga sëmundja, posedojnë antitrupa që ndihmojnë në shërimin e pacientëve me simptoma të rënda të COVID-19.

Ata që janë shëruar nga koronavirusi, do të mund të dhurojnë plazmën e gjakut në disa qyteteve kroate përfshirë kryeqytetin, Zagreb, duke i hapur rrugë trajtimit mjekësor për të sëmurët e tjerë.

Në Institutin e Mjekësisë së Transfuzionit në Zagreb, njoftuan se gjithçka është gati për këtë përpjekje, dhe brenda pesë ditësh, të gjithë ata që mbijetuan nga COVID-19, do të jenë në gjendje të dhurojnë plazmen e gjakut, njoftoi Radio Televizioni Kroat (HRT).

Mjeku, Tomislav Vuk, nga ky institut ka thënë se “pas dhurimit të plazmës së gjakut do të bëhet analiza për të përcaktuar nivelet e antitrupave”.

Transfuzioni i antitrupave, nga të shëruarit te pacientët e sëmurë, krijon atë që njihet si imunitet pasiv, duke i ndihmuar ata të luftojnë infeksionin.

Kjo metodë nuk është e re për mjekësinë. Ajo ishte përdorur gjatë pandemisë së vitit 1918, por edhe më herët, kundër sëmundjes së difterisë.

Po Shqipëria? Përpos transparencës së munguar dhe mbylljes hermetike të informacionit, nuk dihet se me çfarë po trajtohen të sëmurët.