“O dajë, a do vdes”? Deputeti shqiptar humb mbesën dhe kujton fjalët e saj të fundit
Transmetuar më 10-07-2020, 18:26

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë ka humbur mbesën e tij vetëm 9-vjeçe. Dimal Basha ka bërë një dedikim prekës përmes rrjeteve sociale, dhe kujton pyetjen e mbesës përpara se të largohej nga jeta dhe i kishte thënë “o dajë, a do vdes”?

Elita e vogël humbi jetën një natë më parë, pasi ishte prekur nga kanceri. Në dedikimin dhe njoftimin prekës, Basha ka kujtuar edhe herën e fundit që është parë me mbesën e tij dhe pyetjen që i kishte bërë ajo, nëse do të vdiste.

“Për një vit kanceri ia pamundësoi Elitës lëvizjen, pastaj e paralizoi atë pjesërisht, dhe në fund, pas gjithë vuajtjeve për një vit rresht, zgjodhi t’ia ndalë edhe zemrën e vogël që kishte dhe ta ndajë nga ne përjetë.

Meqenëse jeta është plot sfida e vuajtje, kjo qenka edhe më e vështirë kur sfidohesh me vdekjen e një fëmije vetëm 9 vjeç. Pa fajin e saj Elita sot nuk mund të rritet si shokët dhe shoqet e veta.

Ajo nuk do ta ketë mundësinë ta kryejë shkollën e mesme, as fakultetin, por as të rritet duke ëndrruar një familje e karrierë. Kanceri vendosi me ia shu të gjitha andrrat. Herën e fundit derisa prisnim në takim në Spital më pyeti, “Dajë, a ta merr mendja që do t’vdes?” I thash, “jo dajë, ti je shumë e fortë dhe do t’ia dalim së bashku.” “Shpresoj që ia dalim dajë sepse nuk dua ta lë mamin vet,” ma ktheu Elita, e cila nuk e kishte hallin e vet se vdiste, por të mamit që po e linte vetëm sepse ishte fëmiu i vetëm.

Elita, ti e le mamin, por edhe krejt neve loqk. Ne të gjithë do t’jemi afër mamit, por jo edhe afër teje zemra dajës. Më fal Elita që nuk arritëm me t’ofru shpëtim, por faleminderit që na le aq shumë kujtime që përmes tyre t’jetojmë me ty gjithmonë. Faleminderit për çdo gjë Elita, dhe lumja ti për mamin dhe dashninë e përkushtimin e saj për ty, e cila që çdo sekond t’jetës e ka ndërtu për ty dhe rreth teje”, shkruan deputeti.

Loading...