Mustafa infektohet me koronavirus, reagon Pacolli për ata që e ‘uruan’ ish-kryeministrin të vdesë
Transmetuar më 10-07-2020, 16:35

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njoftoi sot se është infektuar me koronavirus. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa theksoi se “përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim to të jem i izoluar”.

Por lajmi i transmetuar në mediat on line dhe në rrjetet sociale, ka shkaktuar edhe një sërë reagimesh negative, pasi qytetarë që nuk pajtohen me politikat e tij, duket se janë gëzuar me infektimin e Isa Musfafës, aq sa i kanë përmendur edhe vdekjen.

Mbi këtë situatë ka ardhur reagimi i biznesmenit dhe ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, kreu i AKR-së.

"Sapo mora lajmin se Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka dalë pozitiv në COVID-19. Nga zemra i uroj shërim të shpejtë. Në të njëjtën kohë nuk mundem pa shkruar për disa nga komentet e mbrapshta dhe çnjerëzore për shëndetin e tij të disa individëve", u shpreh Pacolli.

"Pavarësisht bindjës politike, ne jemi shqiptarë dhe duhet të solidarizohemi me njëri-tjetrin. Të urojmë dikë për vdekje, në këtë moment, është një edukim i tmerrshëm", tha në mesazhin e tij Behgjet Pacolli.

Sakaq, edhe një numër deputetësh të parlamentit të Kosovës janë prekur nga koronavirusi në një periudhë kur vendi po vazhdon të përballet me shtim të numrit të të infektuarve dhe rritje të numrit të viktimave.

Mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha deri tani numri i viktimave që nga fillimi i pandemisë arriti në 94, dhe vetëm në 24 orët e fundit tetë persona humbën jetën, ndërsa 207 nga 401 të testuar dolën se janë të infektuar.

Rastet e së enjtes e çuan në 4 mijë e 307 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, nga të cilët deri tani të shëruar janë shpallur 2 mijë e 95 raste, ndërsa 2 mijë e 118 mbeten raste aktive.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha sot se përkeqësimi i situatës rëndon sistemin shëndetësor të vendit.

/NOA.al

Loading...