Transmetuar më 09-07-2020, 09:46
Agim Kajmaku

Një ditë më parë Gjykata e Apelit Tiranë i riktheu lirinë duke vendosur si masë sigurie “detyrim paraqitje”, ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka lënë ambientet e spitalit privat ku kurohej.

Ai është kthyer paraditen e sotme në shtëpi, ndërkohë që i duhet të paraqitet  në prokurori dy herë në muaj, teksa është në pritje të seancës së 15 korrikut.

Ishte prokuroria e përfaqësuar nga ish-kryeprokuroria Arta Marku, ajo që kërkoi zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një më të lehtë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Agim Kajmaku u paraqit në spitalin privat mbrëmjen e së hënës, i shoqëruar nga avokati Isuf Shehu, për shkak të problemeve me zemrën dhe diabetin.

Teksa iu dha ndihma e parë, personeli i spitalit njoftoi policinë.

Ndalimi i ish-kryebashkiakut të Vorës u bë pasi Prokuroria e Tiranës ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 9 nëntor 2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi më 1 nëntor 2019 Kajmakun, duke e gjetur mandatin e tij të pavlefshëm.

Ky shkarkim erdhi pasi u verifikua nga Prokuroria se Agim Kajmaku, ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Kajmaku rezulton i dënuar në shtetin grek dhe njihej me emrin Jorgo Toto. /a.y/noa.al