Transmetuar më 09-07-2020, 01:58

Komisioni për Sigurinë Kombëtare në parlament miraton ndryshimet në ligjin për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë, sipas të cilit personat mbi moshën 75 vjeç, mjetet e identifikimit do ti kenë pa afat.

“Letërnjoftimi i shtetasve të cilët në momentin e aplikimit për pasaportë kanë mbushur moshën 75 vjeç, të jetë pa afat vlefshmërie, pra për aq kohë sa janë në jetë” tha për komisionin zëvendësministrja e brendshme Rovena Voda.

Propozimi për ndryshimin në ligj është bërë nga Ministria e Brendshme. Ajo është bazuar në rregullat e reja për një siguri më të lartë të dokumenteve të identitetit, që u miratuan që nga muaji qershor nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Në propozim thuhet, se ky hap hidhet, pasi personat mbi 75 vjeç, meritojnë vëmendje të veçantë dhe duke qenë se përfitimi i shërbimeve të tjera publike për këtë kategori bëhet i pamundur në kushtet kur janë në pamundësi të lëvizjes.

Aktualisht shoqëria koncesionare e kartave të identiteti dhe pasaportave, ofron shërbimin lëvizës me një kosto prej 18 000 lekë, për të gjithë ata që e kërkojnë që shërbimin e pajisjes me këtë dokument ta kryejnë në shtëpi. Por kjo shumë nuk ju rikthehet nga shteti.

Nga statistikat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në Shqipëri rezultojnë të regjistruar 148 484 shtetas të moshës mbi 75 vjeç.