Transmetuar më 09-07-2020, 01:45

Prokuroria pushoi këtë të mërkurë çështjen penale për Gjergj Cukalin, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në janar të 2019. Cukali qëndroi disa muaj në burg, por Apeli e liroi pasi konsideroi të papërdorshme analizën e ADN.

Pas rrëzimit të provës shkencore prokuroria nuk gjeti më të dhëna që mund ta implikonin Cukalin në krim.

Vendimi i prokurorisë për Gjergj Cukalin, Albert Xhabaftin dhe Arben Tiranën ose (Xhetani), si personat e dyshuar dhe arrestuar nga policia për vrasjen e ish-policit Arben Bilali do të vijë në Gjykatën Penale.

Ngjarja e ndodhur në 30 janar 2019, përpara shtëpisë së Bilalit, zyrtarisht nuk ka asnjë autor të identifikuar dhe arrestuar.

Dosja që flet për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, tashmë i është kthyer policisë për veprime të mëtejshme operative.

Në shtator 2019, pas vetëm 4 muajve në qeli Cukali, u lirua nga burgu nga gjykata e Apelit. Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, u arrestua si një nga të dyshuarit kryesor të vrasjes së ish-efektivit Arben Bilali për shkak se gjurmët e gjetura në një bidon plastik uji brenda mjetit të braktisur të autorëve përputheshin me të tijat, provë kjo e cila nuk ishte bindëse për gjyqtarët e Apelit të Tiranës, duke i rikthyer atij lirinë.

Ish-efektivi policisë Arben Bilai u ekzekutua më 30 janar 2019 teksa zbriti nga një makinë në zonën e Tiranës së Re pak para se të futej në banesë.

Bilali ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.