Transmetuar më 09-07-2020, 00:35

Gjashtë persona u arrestuan në Holandë pasi policia zbuloi katër kontenierë të shndërruar në dhoma torture, në jug të Roterdamit.

Arrestimet u bënë më 22 qershor, pas dekodimit të aplikacionit EncroChat, i cili zbuloi një rrjet mbarëeuropian kriminal, që solli arrestimin e qindra figurave të krimit në të gjithë kontinentin. Në mbarë Europën janë arrestuar qindra persona dhe sekuestruar më shumë se 27 tonë drogë në Britani dhe Holandë.

Policia holandeze tha se i gjeti kontenierët para se të përdoreshin dhe viktimat potenciale tani janë fshehur. Brenda tyre kishte një karrige dentisti dhe pranga. Policia gjeti edhe një tjetër godinë në Roterdam që beson se përdorej si bazë kriminale.

Pas dekodimit të aplikacionit, Policia arriti të futej në sistem dhe të kapte mijëra mesazhe, mes tyre edhe të një 40-vjeçari nga Haga. Pasi zbuluan vendndodhjen e kontejnerëve, hetuesit panë që aty punohej përditë, por vendosën të ndërhynin vetëm kur ata ishin drejt përfundimit. Në një kontenier, policët gjetën edhe uniforma policie dhe jelekë antiplumb.