Transmetuar më 08-07-2020, 21:26

Edhe OBSH po ndan udhëzime kontradiktore sa i përket pandemisë, që po terrorizon botën gjatë muajve të fundit.

Organizata Botërore e Shëndetit ka pranuar se ka prova të reja që koronavirusi mund të përhapet nga grimca të vogla që rrinë pezull në ajër, çka e bën virusin edhe më të frikshëm.

“Kemi folur për mundësinë e transmetimit me anë të ajrit dhe transmetimin me anë të aerosolit si një nga format e përhapjes së Covid-19, – u shpreh Maria Van Kerkhove, udhëheqësja teknike për pandeminë në OBSH.

Mundësia e transmetimit të ajrit në ambiente publike,- shtoi ajo, "veçanërisht në kushte shumë specifike, ambiente të mbyllura me njerëz, të ajrosur dobët që janë përshkruar, nuk mund të përjashtohet. Sidoqoftë, provat duhet të mblidhen dhe interpretohen, dhe ne vazhdojmë ta mbështesim këtë.”

OBSH deri më tani listonte se koronavirusi transmetohet përmes piklave kur njerëzit kolliten ose teshtijnë.

Reagimi që pretendon të kundërtën vjen në një kohë kur më shumë 200 shkencëtarë e kanë akuzuar agjencinë e shëndetit publik të OKB-së se ka nënvlerësuar mundësinë e transmetimit të virusit nga ajri.

Me anë të një letre të hapur për agjencinë me qendër në Gjenevë, botuar të hënën në revistën e Sëmundjeve Infektive, 239 shkencëtarë nga 32 vende listuan prova që ata thonë se tregojnë se grimca të virusit që ‘enden’ në ajër mund të infektojnë personat e pranishëm që kryejnë procesin e frymëmarrjes.

Duke qenë se këto grimca të vogla mund të qëndrojnë në ajër, shkencëtarët po kërkojnë nga OBSH që të rinovojë udhëzimet rreth koronavirusit.

SHBA është duke u tërhequr për të mos e financuar më OBSH-në, me pretendimin se fshehu të dhënat kur pandemia shpërtheu në Kinë, duke ndihmuar vendin aziatik.