Transmetuar më 08-07-2020, 15:00
Agim Kajmaku

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku u paraqit në gjendje të rënduar shëndetësore.

Nga “arrest me burg” që kishte caktuar Gjykata e Tiranës, Apeli e ka zbutur duke caktuar si masë sigurie “detyrim paraqitje”, duke e shpëtuar nga qelia.

Ky vendim u argumentua me faktin e ndryshimit të rrethanave në ngarkim të të pandehurit.

Agim Kajmaku u paraqit në spitalin ‘Continental’ mbrëmjen e së hënës, i shoqëruar nga avokati Isuf Shehu, për shkak të problemeve me zemrën dhe diabetin.

Teksa i është dhënë ndihma e parë, personeli i spitalit ka njoftuar policinë.

Ndalimi i ish-kryebashkiakut të Vorës u bë pasi Prokuroria e Tiranës ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 9 nëntor 2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi më 1 nëntor 2019 Kajmakun, duke e gjetur mandatin e tij të pavlefshëm.

Ky shkarkim erdhi pasi u verifikua nga Prokuroria se Agim Kajmaku, ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Kajmaku rezulton i dënuar në shtetin grek dhe njihej me emrin Jorgo Toto. /a.y/noa.al