Transmetuar më 07-07-2020, 18:35

Një ditë më parë, disa tifozë u panë në shkallët e stadiumit “Selman Stermasi” në takimin Tirana-Kukësi, edhe pse grumbullime të tilla nuk janë të lejuara.

Sot policia thotë se ka proceduar penalisht gjashtë organizatorët kryesorë.

“Gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Kukësi, pasditen e djeshme, në stadiumin “Selman Stermasi”, disa persona kanë grumbulluar pranë stadiumit, një grup tifozësh të skuadrës Tirana, në shkelje të protokolleve të sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke prishur rendin dhe qetësinë publike dhe duke kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për t’u shpërndarë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të proceduarit janë identifikuar vetëm me iniciale: M. J., F. M., E. S., O. K., G. X. dhe K. M.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, u gjobit me 1 milionë lekë të reja pronari i një lokali në afërsi të stadiumit, pasi lejoi të futeshin dhe të qëndronin në ambientet e brendshme të lokalit, tifozët që nuk po zbatonin urdhrin e Policisë për t’u shpërndarë dhe respektuar distancimin social, urdhër i dhënë disa herë me megafon, që prej fillimit të grumbullimit të paligjshëm e deri në shpërndarjen e plotë të tyre.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. /k.k/noa.al/

Thyhen rregullat, tifozët hyjnë në stadium në ndeshjen Tirana-Kukësi