Ish-kryebashkiaku socialist i Vorës, Agim Kajmaku, u arrestua nga policia e Tiranës, në një spital privat, ku kishte shkuar me urgjencë.
Kjo pasi Kajmaku kishte pasur probleme me shëndetin dhe ishte paraqitur mbrëmjen e djeshme, e hënë.
Shtrimi në spital u bë për shkak të problemeve kardiake dhe diabetit.
Ishin mjekët ata që lajmëruan policinë, çka çoi në arrestimin e të dyshuarit.
Aktualisht po kryhen veprimet ndaj Kajmakut, ndërkohë që prej muajsh vijonte në arrati.
Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi më 1 nëntor 2019 Kajmakun, duke e gjetur mandatin e tij të pavlefshëm.
Ky shkarkim erdhi pasi u verifikua nga Prokuroria se Agim Kajmaku, ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.
Kajmaku rezulton i dënuar në shtetin grek dhe njihej me emrin Jorgo Toto.
Ndaj ish-kryebashkiakut është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve”, dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”. /a.y/noa.al