Transmetuar më 06-07-2020, 02:17

Qeveria e Kosovës sonte në një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për masat e luftimit të pandemisë COVID-19, me të cilin ka obliguar Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore që të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore përkatës për të trajtuar rastet e prekura me COVID-19.

Masat e reja në luftën kundër COVID-19 parashihet riorganizimi i klinikave në kuadër të SHSKUK-së, duke krijuar shtretër dhe hapësira shtesë, krijimi i kapaciteteve shtesë me shtretër dhe hapësira në spitalet rajonale, krijimi i kapaciteteve shtesë me shtretër dhe hapësira spitalore në institucione private shëndetësore në përputhje me ligjet në fuqi.

Në këtë funksion MSH dhe institucionet kompetente shëndetësore obligohen të rrisin kapacitetet me personel shëndetësor të nevojshëm për trajtimin e rasteve me COVID 19, duke përfshirë riorganizimin e personelit shëndetësor në shërbim të rasteve të prekura.

Po ashtu, parashihet mobilizimi i stafit shëndetësor në nivel vendi, duke përshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë shëndetësorë që nuk janë të angazhuar momentalisht.

Në veçanti do të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID 19.

Po ashtu, MSH dhe institucionet kompetente shëndetësore duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe të menjëhershme për të realizuar testimet virologjike, duke përfshirë shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve ekzistuese për testim; krijimin e kapaciteteve të reja testuese në regjione; licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID 19, në përputhje me ligjet në fuqi dhe prioretizim të testimit të personave më në nevojë.

Sipas vendimit më të ri të Qeverisë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore do të ndajnë buxhetin e nevojshëm për blerjen e deri në 100,000 teste virologjike, deri në 500,000 vaksina për gripin sezonal, të bëhen porositë e nevojshme për vaksinën eventuale kundër COVID-19, në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian dhe OBSH-së, blerja e 7 aparateve për testim.

Po ashtu, do të ketë terapi specifike për trajtimin e të prekurve me COVID 19 në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian dhe OBSH-së.

Ndarja e buxhetit për angazhimin e personelit shëndetësorë shtesë dhe ndarja e pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor do të bëhet sipas nevojës, teksa do të ketë pagesë shtesë për angazhimin shtesë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç në raste urgjente shëndetësore; në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten.

Përjashtim nga kufizimi i lëvizjes përbën edhe në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare, në rast të vdekjes së anëtarit të familjes, në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).

Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm ku institucionet përkatëse do të sqarojnë me qarkore të veçanta se çfarë paraqet staf të domosdoshëm për to.

Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore jo esenciale, teksa nga kërkohet nga të gjitha komunat t’i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme, iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Kosovës. Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away.

Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, fugonë, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.

Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera i vënë në dispozicion kapacitetet e veta për të mbikëqyrur zbatimin e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë obligohet të përgatisë “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid-19” dhe ta sjellë për miratim në Qeveri brenda një jave.

Obligohen institucionet përkatëse të Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.

Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe i njëjti vlen deri në një vendim tjetër. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet çdo dispozitë e mëparshme që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij vendimi, thuhet në komunikatën e Zyrës për media të Qeverisë së Kosovës.