Vdesin 4 persona me Covid-19 te Infektivi në Prishtinë, dyshohet për mungesë oksigjeni
Transmetuar më 05-07-2020, 13:29

Katër persona të prekur me koronavirus kanë humbur jetën në Klinikën Infektive në Prishtinë. Ata dyshohet se kanë vdekur prej mungesës së oksigjenit. Ndërkohë, ekipet e Mjekësisë Ligjore janë parë pranë Klinikës Infektive duke kryer veprimet hetimore.

Arbnora Fazliu Rama nga Mitrovica tregon, se në orën 03:00 të mëngjesit ka ndërruar jetë babai i saj 70 vjeç.

Ajo thotë se babait të saj i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore për një javë, dhe për këtë shpreh dyshimin se mbrëmë ka pasur probleme me oksigjenin.

“Unë dyshoj që gazin nuk e kanë pasur siç duhet, mbikëqyrja nuk ka qenë ashtu siç duhej me ardh për të parë pacientin. Ne ua kemi bërë hyzmetin më shumë se ata, motrat kanë ardhë çfarë kanë pasur infuzioneme i dhënë, por përgjegjësi të madhe nuk ka pasur askush aty”, thotë ajo për ‘Kosova Press’.

Ndërkohë, dyshohet se, në Klinikën Infektive kanë pasur problem, nga që është ndaluar oksigjeni qendror.

Vajza e pacientit i cili ka ndërruar jetë mbrëmë, shton se gjendja e babait të saj ka qenë e mirë gjatë ditës së djeshme. Ajo shprehet e zhgënjyer se si mjekët nuk e kishin lajmëruar atë për gjendjen e të atit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se dje janë testuar gjithsej 346 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 178 raste pozitive. Sipas institutit, numri total i rasteve pozitive është 3.356 raste nga 24.921 persona të testuar.

Loading...