Transmetuar më 04-07-2020, 23:27

Një gjurmë gishti e gjetur në vendngjarjen e vrasjes së një gruaje të moshuar, i hyri në punë policisë greke vetëm pas 18 vjetësh, për të zbuluar autorin, një emigrant shqiptar.

Bëhet fjalë për një krim të shëmtuat që ndodhi në vitin 2002 në qytetin bregdetar grek, Volos, raporton noa.al duke cituar policinë vendase.

Shqiptari kishte hyrë në banesën e një gruaje të moshuar për ta grabitur, por nuk ishte mjaftuar me kaq. Ai e kishte goditur disa herë me thikë në kokë dhe në trup, derisa i mori jetën.

Për 18 vjet me radhë, ky krim nuk u zbardh kurrë dhe shqiptari jetoi gjithë këtë periudhë qetësisht mes Greqisë dhe vendlindjes.

Por ditët e fundit, gjurmët e gishtërinjve që kishte lënë për efekt dokumentacioni në policinë greke, u përputhën me një gjurmë që ishte gjetur dhe ruajtur që atëherë. Ajo gjurmë ishte gjetur në portën hyrëse të banesës së gruas 71 vjeçare.

"Asnjë çështje nuk mbyllet për policinë greke, sado kohë që të kalojë", tha sot Asterios Mantxhiokas, drejtor i policisë për rajonin e Thesalisë ku përfshihet dhe qyteti Volos.

I dyshuari shqiptar, pas arrestimit, mohoi të ketë kryer krimin për të cilin akuzohet. Ai tha se prej mëse dy dekadash ka jetuar në Volos duke punuar në ndërtim dhe nuk ka kryer as grabitje dhe as vrasje.

Sakaq policia lokale tha edhe se shqiptari i dyshuar ishte skeduar para disa kohësh edhe për akuzën e rrëmbimit të personit. /noa.al/