Transmetuar më 04-07-2020, 01:48

Ilaçi i krijuar nga baktere të zorrëve mund të bëhet trajtimi i ri për koronavirusin

Një pilulë e krijuar nga bakteret e zorrëve është duke u testuar nga shkencëtarët britanikë si një trajtim kundër koronavirusit, shkruan Dailymail.

Në një eksperiment të nisut ditën e djeshme, pacientëve do t’ju jepet ilaçi, i cili përmban zinxhirin e një lloj bakteri, i cili gjendet në zorrë dhe ka rezultuar se ka efekt në zvogëlimin e dëmtimit të indeve të mushkërive të shkatuara nga inflamacioni.

Nëse ilaçi funksionon, shkencëtarët planifikojnë t’ua japin pacientëve para se ata të fillojnë të zhvillojnë probleme më serioze të mushkërive, duke zvogëluar kështu fluksin e pacientëve të shtrirë në spital.

Pilula, e cila është pjesë e barnave të quajtura bioterapeutike, përmban miliarda qeliza nga mikrobiomi, apo komuniteti i baktereve që gjendet në zorrë. Testimet paraklinike të ilaçit, kanë treguar se ky lloj bakteri zvogëlon inflamacionin që koronavirusi shkakton.

Pilula, e njohur si MRx-4DP004, ka për qëllim zvogëlimin e funksionit të një lloji qelize të sistemit imunitar, që është nxitëse kryesore e inflamacionit dhe dëmtimit të mushkërive tek pacientët me koronavirus.

Pacientët e parë të Spitalit Universitar Plymouth do të fillojnë trajtimin, para se të përhapet edhe në vendet e tjera në Britaninë e Madhe. Dy të tretat e 90 pacientëve do të përdorin ilaçin dy herë në ditë, ndërsa të tjerët do të përdorin një placebo.

Ata më pas do të monitorohen çdo ditë për të parë nëse simptomat e tyre përmirësohen ose virusi përparon.

“Të jesh i aftë për të trajtuar në mënyrë të sigurt inflamacionin në mushkëri, është një përparësi e madhe në fushën e zhvillimit të terapive për pacientët, të cilët vuajnë nga simptoma shumë serioze të infeksionit të mushkërive”, tha Duncan Peton, drejtor i përgjithshëm i farmacive 4D.

Duke marrë parasysh profilin e ilaçit, qëllimi i studimit është që të arrihet të trajtohen pacientë, me simptoma të buta, për të shmangur shtrimin e tyre dhe fluksin e madh të pacientëve në spitale.