Transmetuar më 02-07-2020, 12:15

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko paralajmëron se goditja që mori vendi nga pandemia e koronavirusit, do të ketë ndikim të ndjeshëm në ekonomi.

Duke raportuar në Parlament, për punën e Bankës për vitin 2019, ai tha se ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie gjatë vitit 2020.

“Kjo rënie do të shoqërohet me rritje të numrit të papunësisë, rënie të të ardhurve familjare dhe me përkeqësim të situatës financiare të individëve dhe bizneseve dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankar. Kjo goditje kërkoi një reagim të shpejtë dhe të gjithanshëm të autoriteteve publike si në planin shëndetësor, ekonomik dhe social”, u shpreh Sejko.

Ai shtoi se krahas masave lehtësuese fiskale Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë të plotë masash për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për sistemin bankar, për të nxitur kreditimin dhe për të kontrolluar kostot e shërbimit të borxhit.

Sipas tij, kjo paketë përfshin uljen në 0.5% të uljes së normës bazë të interesit dhe furnizimin e pakufizuar me likuiditet të sistemit bankar.

“Lehtësimin e përkohshëm të rregulloreve bankare për të mundësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kredisë të klientëve në përgjithësi dhe ristrukturimin konsensual të kredive për klientët me perspektiva solide biznesi duke ndihmuar financat e bizneseve për të rritur shanset e tyre për mbijetesë. Eliminimin e kostove të pagesave elektronike në përgjigje të rritjes së kërkesës për këtë lloj aktiviteti”, deklaroi Guvernatori i BSH. /a.y/noa.al