Koronavirusi godet ekonominë, pritet rënie në 2020-ën, 17 mijë persona humbën punën
Transmetuar më 01-07-2020, 16:31

Koronavirusi ka goditur rëndë sektorin e ekonomisë në vend. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha në një dalje për mediat se pritet një rënie ekonomike për këtë vit, teksa 17 mijë persona kanë humbur vendet e tyre të punës.

Sejko shtoi se në tremujorin e parë ekonomia është tkurrur me 2.5% dhe papunësia shkoi në 11.4%.

“Pandemia ka ushtruar goditje të gjithanshme në ekonomi. Ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë. Po ashtu në këtë periudhë u humbën rreth 17 mijë vende pune dhe norma e papunësisë u rrit në 11.4%.

Të dhënat indirekte të tremujorit të dytë tregojnë se goditje është forcuar më tej. Eksportet e mallrave u tkurrën me 33% gjatë dy muajve të parë të këtij tremujori, duke reflektuar edhe rënie e kërkesës së huaj dhe pengesën e lëvizjes. Po ashtu edhe importet u tkurrën me 30%”, tha Sejko.

Kohëzgjatja e pandemisë do të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë me ekonomisë.

“Inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë në muajin maj duke shënuar një shifër prej 2%. Banka e Shqipërisë bën me dije se ecuria e ardhshme e ekonomisë do të varet nga kohëzgjatja e pasojave të pandemisë dhe nga reagimi i agjentëve të brendshëm dhe të huaj në raport me to.

Në këtë skenar ekonomia pritet që të shënojnë një rënie të ndjeshme për këtë vit dhe norma të shpejta dhe të qëndrueshme rritje për periudhën në vijim. Aktiviteti ekonomik pritet që të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë. Të vijojë të mbetet në territorin negativ për 2-3 mujorët në vijim dhe t’i kthehet rritjet në vitin 2021”, u shpreh Sejko. /k.k/noa.al/

Loading...