Transmetuar më 30-06-2020, 16:50

Kush më thotë je vëllai i Vuçiçit, i them “amanet mushkat”. Kështu tha Kryeministri Rama në konferencën me gazetarët në Prishtinë.

Këtë përgjigje e dha gjatë pyetjes se si i ka marrëdhëniet me Presidentin serb.

“Mendoj se Shengeni Ballkanik është diçka e mirë për të gjithë ne, kjo sepse “shuan” kufijtë. Fqinjin nuk e zgjedh, as presidentin serb nuk e zgjedhim ne, por ne zgjedhim interesin strategjik dhe sinqeritetin në mjete për të realizuar interesin tonë.

Me Shengenin, kush hyn në Aeroportin Adem Jashari, mund të shkojë deri në Sarandë. Kush hyn nga Kakavija, mund të vijë deri në Brezovicë pa kontroll fare. Nuk kemi kohë për të bërë politika me këto gjëra. Ne kemi dy shtete, kemi dy shtëpi dhe këtu ka të tjerë që vendosin. Kush më thotë vëllai i Vuçiçit, unë i them ‘amanet mushkat’”, deklaroi Rama.

Kryeministri vuri në dukje se liderët politikë të Shqipërisë, të Kosovës, por edhe më gjerë duhet të jenë të bashkuar, dhe të mos prodhohet helm kur bëhet fjalë për tema me rëndësi kombëtare.