Transmetuar më 30-06-2020, 12:30

Një konferencë e përbashkët mes Antimafias italiane dhe autoriteteve shqiptare pas goditjes së një grupi të përbërë nga shqiptarë dhe italianë, të përfshirë në trafikun e drogës, i përmbyllur me 37 të arrestuar, zbuloi detaje mbi zhvillimin e tij.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Arben Kraja, deklaroi se skuadrat e përbashkëta hetimore janë përgjigja më e mirë që i jepet krimit të organizuar që funksionon në nivelin ndërkombëtar.

“Operacioni ishte i suksesshëm, me koordinim perfekt në të njëjtën kohë. E reja që kemi sjellë në Shqipëri me këtë hetim është se nuk jemi kufizuar vetëm me hetimin, por edhe hetim dhe akuzë për pastrim të veprës penale, pastrim parash. Jemi të vendosur që të vijojmë me të njëjtin ritëm edhe me skuadrat e tjera investigative të përbashkëta. Në Shqipëri do të hetojmë përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore që kanë lejuar apo favorizuar aktivitetin kriminal”, u shpreh Kraja.

Kreu i SPAK paralajmëroi se kushdo që të jetë i përfshirë dhe do të provohet do të dërgohet para gjyqit.

Ndërkohë prokurori i Barit, Giuseppe Volpe  tha se grupet shqiptare duke përdorur brigjet e Jugut kanë kaluar në ato italiane sasi të mëdha marijuane dhe se janë pasuri të sekuestruara që u përkasin shqiptarëve dhe Italianëve.

Një skaf është bllokuar mëngjesin e sotëm në Vlorë, ndërkohë që dyshohet se transportonte lëndën narkotike të grupit kriminal që u arrestua në operacionin e policisë italiane dhe asaj shqiptare.

Skafi i sekuestruar me emrin “Stuhia” është dërguar në pikën e bllokimit në Vlorë, teksa hetimet janë në vijim, për të zbuluar personat që e përdornin.

Një operacion antidrogë mes policisë italiane dhe asaj shqiptare, u zhvillua mëngjesin e sotëm, ka vënë në pranga 37 persona në të dy shtetet.

Gjatë hetimeve është sekuestruar 3.5 ton drogë, me vlerë prej afro 40 milionë euro.

Bëhet fjalë për lëndë narkotike marijuanë, kokainë dhe kanabis sativa.

Operacioni i madh u drejtua nga Antimafia e Barit në bashkëpunim me autoritete të qyteteve të tjera vendase, policinë shqiptare dhe zyrën ndërlidhëse të Interforza në Tiranë. /a.y/noa.al

Operacion i përbashkët sekuestron 40 milionë euro drogë, 37 të arrestuar në Itali dhe Shqipëri