Transmetuar më 30-06-2020, 09:43
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Korçës i koduar “Perimetri”, ka goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i pesë personave.

Në pranga u vunë M. K., 35 vjeç, F. F., 20 vjeç dhe E. L., 23 vjeç, të tre banues në Laç, të cilët u kapën nga shërbimet e Policisë Rrugore në afërsi të fshatit Zëmblak, duke transportuar me tre mjete në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 1000 euro, 15 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.

Po ashtu u arrestuan E. Xh., 21 vjeç, banues në Pogradec dhe F. D., 24 vjeç, banues në Korçë, të cilët në hyrje të qytetit të Pogradecit, u kapën nga Policia duke transportuar me një mjet në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 500 euro, 3 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Pogradecit dhe Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al