Transmetuar më 29-06-2020, 18:27

Presidenti Ilir Meta vijon t’i bëjë jehonë opinionit dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duke thënë se është e vetmja rrugë për hapjen e negociatave.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit nënvizon se  rekomandimet e “Venecias” i hapin rrugë plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

Teksa ka shpërndarë një intervistë të Deutsche Welle, nga profesorja Angelika Nuberger, Meta shkruan se tanimë nuk ka vend për interpretime.

“Po, nuk ka më vend për interpretime!

Tani është koha për ZBATIMIN KORREKT të REKOMANDIMEVE të Komisionit të Venecias, përmes BASHKËPUNIMIT TRANSPARENT dhe KONSTRUKTIV.

Është shumë e rëndësishme që Komisioni i Venecias do të ndjekë edhe zbatimin e rekomandimeve të tij të fundit për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Po kështu rekomandimet e Komisionit të Venecias janë në ndjekje nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare.

Kjo është e vetmja rrugë drejt çeljes së negociatave dhe funksionimit të shtetit ligjor”, shkruan Meta. /k.k/noa.al/