Transmetuar më 29-06-2020, 12:13

Operacioni Forca e Ligjit iu kërkon tre personave në Tiranë, Korçë dhe Pogradec që të deklarojnë pasurinë e tyre.

Bëhet fjalë për tre persona të dënuar për vrasje, drogë dhe vjedhje, Eftim Ziko, Nikolla Panariti dhe Oltian Loga.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-Eftim Ziko, banues në Pogradec, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”;

-Nikolla Panariti, banues në Korçë, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”;

-Oltian Loga, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Armëmbajtja pa leje”, “Vjedhja” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al