“E di… Ti nuk do të jesh kurrë vetëm!”
Transmetuar më 28-06-2020, 21:14

OPINION nga Aranit Muraçi

Tifozët e Liverpulit kishin plot 30 vjet pritje, saktësisht i kishin përjetuar për herë të fundit emocionet që dhuron fitimi i titullit kampion në Angli, në të njëjtin vit kur në Shqipëri nisi të frynte era e ndryshimeve të mëdha politike dhe ekonomike.

Thirrjet e famshme, kryesisht të të rinjve dhe studentëve shqiptarë të viteve ’90, "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", mbeten aktuale edhe sot. Të paktën gjatë protestave masive të studenteve rreth një vit më parë, protesta që gjeti mbështetje të gjerë në publik, u lëshuan të njëjtat thirrje "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", çka provoi se nuk kishin ndryshuar shumë gjëra dhe emocioni prandaj mbeti i njëjtë. Nuk ka tifoz dhe dashamirës futbolli që nuk i njeh tifozët e famshëm të Liverpulit. Mbi 60 mijë të tillë i gjen çdo fundjavë në stadium, të cilët shoqërojnë nga fillimi dhe deri në fund ndeshjet e Liverpul me thirrjen legjendare "You’ll Never Walk Alone", "Ti nuk do të jesh kurrë vetëm", si kur skuadra e tyre është duke fituar, duke humbur, ashtu edhe kur paraqitet dobët.

Kishin plot tre dekada në pritje. Skuadra e famshme angleze e Liverpulit e siguroi zyrtarisht këtë fundjavë titullin kampion, por nuk iu bashkuar gëzimit të tifozëve në rrugë. Kishte shumë tifozë që e kishin përjetuar këtë emocion në ’90 kur ishin fëmijë, adoleshentë apo të rinj, kurse tani e festuan në moshë të rritur apo në prag pensioni, sikurse në një kohë të papërshtatshme.

Kishte shumë nga ata që i përjetuan për herë të parë emocione të tilla. Të tjerë pritën por nuk e festuan kurrë. Megjithatë, edhe pse skuadra e tyre i braktisi dhe nuk doli të festonte me ta, me qëllim për të respektuar masat anti-Covid, tifozët nuk i rezistuan dot haresë dhe festës. Klubi dhe drejtuesit lokalë i dënuan grumbullimet dhe festimet, duke qenë se prej tyre nuk u respektuan masat anti-Covid. "Ti nuk do jesh kurrë vetëm!", ishte kjo shprehja që kryeministri i vendit Edi Rama huazoi nga tifozët e Liverpulit, për të motivuar njerëzit e thjeshtë, me qëllim për të përballuar dy nga fatkeqësitë më të mëdha me të cilat është përballur vendi ynë gjatë dekadave fundit: tërmetin dhe pandeminë Covid-19.

Ka një dallim thelbësor mes kryeministrit Rama dhe tifozëve të Liverpol.

Tifozët janë me mijëra, janë publiku që kërkon të motivojë ekipin që t’ia dalë mbanë, Rama në të kundërt, është Një, i cili kërkon t’ia dalë mbanë, duke motivuar publikun.

Përballë sfidave të vështira politike, ekonomike dhe sociale që ka kaluar Shqipëria në këto tre dekada, do të ishte më e drejtë që publiku, elektorati, apo shumica e votuesit që siguron një mandat qeverisës, të dalë me të njëjtën thirrje , "Ti nuk do jesh kurrë vetëm!", për të motivuar Kryeministrin e Shqipërisë: gjithnjë në rast se Rama ka në plan të sigurojë një mandat të tretë qeverisës. Kryeministri pas sukseseve që ai pati me financat, të paktën siç ka deklaruar, gjeti të njëjtin ministër për të përballuar edhe tërmetin, edhe koronavirusin. Por para mandatit të tretë, në rast të ndonjë fatkeqësie të tretë natyrore, ndonëse e ka gati ministrin për të përballuar emergjencën, i duhen ndoshta më shumë për thirrjet e publikut, "Ti nuk do jesh kurrë vetëm!".

Edi Rama për të garantuar zgjedhje sa më normale, si kusht i vendosur nga ndërkombëtarët, i nevojitej një kompromis me opozitën jashtë Kuvendit. Dhe pavarësisht se ia doli, para mandatit të tretë ka më tepër nevojë për mbështetjen e publikut, me thirrjet: Ti nuk do të jesh kurrë vetëm! Kreu i qeverisë dhe ekipit të tij para ndryshimeve të nevojshme ligjore për Reformën Zgjedhore, ka gjithashtu nevojë për votat e opozitës Parlamentare. Dhe nëse nuk i siguron ato, i duhen të njëjtat thirrje si të tifozëve të Liverpul, që t’ia dalin mbanë.

Që kur erdhi në pushtet me premtimin se do të bënte gjithçka për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, kryeministrit Rama gjatë 7 viteve në qeverisje iu bashkuan biznesmenë që kishin përfituar ndoshta padrejtësiht nga qeverisja e kaluar, zyrtarë dhe ministra të qeverisë së kaluar, përfshirë emra të rëndësishëm si Ridvan Bode dhe Majlinda Bregu. Prandaj, nëse do të braktiset prej tyre dhe ndoshta të tijve, atëherë do të ketë më shumë nevojë për thirrjet e publikut, "Ti nuk do të jesh kurrë vetëm!". Gjatë këtyre dy mandatave, kryeministrit dhe qeverisë së tij i erdhën në ndihmë edhe media dhe gazetarë të rëndësishëm që i pati kundër për tetë vite kur ishte në opozitë. Dhe prandaj ka nevojë, nëse do të braktiset prej tyre, para apo pas mandatit të tretë, për thirrjet e tifozëve të famshëm të Liverpul.

Edi Rama do të jetë i pari kryeministër që siguron një mandat të tretë gjatë këtyre 30 viteve, nëse do të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Edhe nëse ka ambicje të tjera për t’u bërë President, sidoqoftë ai do të mbetet në skenën politike. Por një ditë do të largohet me siguri. Dhe atëherë ndoshta do të ketë më shumë se kurrë nevojë për thirrjet e publikut: Ti nuk do të jesh kurrë vetëm! Dhe në fund, kur të dalë në pension, nëse nuk do të marrë thirrjet "Ti nuk do të jesh kurrë vetëm!", do të shpresojë se Zaho do të bëhet djalë i mirë dhe nuk do të lërë kurrë vetëm.

/NOA.al

Loading...