“Nga Budina te Prishtina”
Transmetuar më 28-06-2020, 13:08

Nga Edmond Tupja

Po, lexuese dhe lexues të respektuar të kësaj rubrike të përjavshme, nuk jeni gabuar, e kam fjalën së pari për artistin e intelektualin Edmond Budina, këtë luftëtar të paepur të kauzës së madhe të historisë e të kulturës sonë europiane, i cili, me shokët e kolegët e tij, i tregoi botës artistike e kulturore se shqiptarët dinë të luftojnë deri në fund, paçka se padrejtësia duket sikur triumfoi përkohësisht.

Për këtë arsye, të shumtë jeni ju, janë ata e ato, jemi ne që mund e duhet të themi me krenari se i kemi qëndruar, i qëndrojmë dhe do t’i qëndrojmë përkrah Edmond Budinës derisa tirania kryeministrore e kryebashkiake të marrë ndëshkimin e duhur.

Një përshtypje veçanërisht të neveritshme u ka lënë shumë njerëzve mënyra sesi, me një hipokrizi hiperbolike dhe një cinizëm cianurik, kryeministri Rama u “shqetësua” për shëndetin e artistit e të intelektualit Edmond Budina duke i uruar atij dhe të vëllait, Robertit, shërim sa më të shpejtë nga kovid-19-a!

Kësaj i thonë ta vrasësh dikë natën dhe ta qash ditën! Po, shembja e pabesë, në orën katër e ca të mëngjesit, e Teatrit Kombëtar përbën një vrasje, një krim historik e kulturor, një atentat kundër idealit të artistin e të intelektualit Edmond Budina, të bashkëluftëtarëve të tij e të plot artistëve dhe intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, që nuk rreshtin së menduari e së pohuari me zë të lartë se Teatri Kombëtar vazhdon të qëndrojë i pashembur në brendësi të shpirtit të tyre.

Nga ana tjetër, me shumë të drejtë, artisti dhe intelektuali Edmond Budina reagoi publikisht duke theksuar se ndërhyrja ose më saktë hundëfutja e kryeministrit Rama në privatësinë e tij është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe se, për këtë arsye ai, pra Edmond Budina, do t’i drejtohet drejtësisë.

A u kujtohet lexueseve dhe lexuesve të sotëm sa zhurmë mediatike u bë para shumë vitesh kur qarkulloi në medie një fotografi me Edi Ramën lakuriq në një plazh nudistësh? A nuk u dënua kjo ngjarje asokohe jo vetëm nga shumë mbështetës të atëhershëm të kryeministrit aktual, por edhe nga intelektualë të paangazhuar politikisht, madje edhe të djathtë?

Ku janë sot këta mbështetës e përse heshtin? Mos vallë mbrojtja e së drejtës për të dalë lakuriq në një plazh nudistësh pa t’u cenuar privatësia vetjake qenka shumë më tepër e rëndësishme sesa mbrojtja e së drejtës për t’u trajtuar e shëruar nga një sëmundje e rrezikshme pa t’u cenuar pikërisht privatësia vetjake?

Gjithsesi, së dyti, vetëm disa ditë kishin kaluar nga ky incident shumë domethënës për mendësinë dhe sjelljen e kryeministrit Rama lidhur me gjendjen shëndetësore të artistit dhe intelektualit Edmond Budina, kur ndodhi diçka e paparashikueshme që kishte lidhje me Prishtinën zyrtare: Gjykata e Hagës bëri të ditur akuzën për krime lufte kundër presidentit Thaçi që ky të paraqitej para asaj duke e detyruar kështu atë të anulonte vajtjen në SH.B.A. në krye të delegacionit kosovar për një takim me një delegacion serb në prani të diplomatit amerikan Richard Grenell.

Rrjedhimisht, ne shqiptarët pamë të enjten e shkuar kryeministrin Rama të ngjitej në foltoren e Kuvendit e të shpaloste një fjalim energjik duke marrë në mbrojtje, siç i takonte, kauzën e Kosovës e të luftës së saj çlirimtare. Vështrimi, toni dhe gjestet e tij ishin plot vendosmëri nga fillimi deri në fund, pavarësisht disa mospërputhjeve të lehta midis tyre, por, teksa ai shpaloste, pra, fjalimin e tij me një gojëtari thuajse mbresëlënëse, mua sesi m’u kujtua për dreq entuziazmi i tij për minishengenin ballkanik (çka nënkuptonte investime serbe në Shqipëri dhe fluks importimesh nga Serbia etj., etj.), m’u kujtua për dreq edhe ideja e tij jo fort e qartë, të paktën sipas mendimit tim, lidhur me ndonjë këmbim të mundshëm territoresh midis Kosovës dhe Serbisë (çka, me sa duket, krijoi një të krisur sado të vogël në marrëdhëniet e tij me ish-kryediplomatin Bushati), pa harruar disa takime të zhvilluara prej atij kokë më kokë me Vuçiçin, për të cilat opinioni publik tek ne u informua tepër përmbledhtas, të paktën sipas mendimit tim.

Ajo që më habit në këto dy qëndrime të kryeministrit Rama – pra si ndaj Edmond Budinës, ashtu edhe lidhur me akuzën e Gjykatës së Hagës kundër presidentit Thaçi dhe disa personalitetesh kosovare figura të UÇK-së – është aftësia e pamohueshme që ai ka në artin e të bërit akrobaci ose, më saktë, pehlivanllëqe të admirueshme për shumë njerëz, por aq të lexueshme, aq të zbërthyeshme për disa të tjerë, saqë të vjen të rilexosh romanin e Jean-Paul Sartrit me titull “Neveria”, personazhi kryesor i të cilit, ashtu si edhe ai i novelës “Fëmijëria e një padroni” të të njëjtit autor, të kujton në mënyrë të çuditshme vetë kryeministrin Rama.

Së fundi, vazhdoj ende së pyeturi veten – ndoshta si ju, lexuese et lexues të nderuar që patët kureshtjen dhe durimin të më lexoni deri tani – nëse do të kemi edhe qëndrime të tjera prej akrobati ose pehlivani të kryeministrit Rama në ditët, javët, muajt apo vitet e ardhshme duke qenë i mendimit se një gjë e tillë nuk është aspak e pamundur si në politikën tonë të brendshme ashtu edhe në atë të jashtme.

Loading...