Transmetuar më 27-06-2020, 20:34

Komuniteti çam përkujtoi sot në varrezat e Kllogjerit në Sarandë, 76 vjetorin e vrasjeve dhe shpërnguljeve masive të shqiptarëve të Çamërisë.

Ajo që tashmë quhet si “java çame” nga Shoqata Patriotike “Çamëria” apo dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) u kujtua këtë vit me pak organizim për homazhe në ditën simbol të saj 27 qershorin, kjo për shkak të pandemisë së COVID-19.

Lideri i PDIU Shpëtim Idrizi në një fjalim të mbajtur me rastiin e 76 vjetorit të gjenocidit të Çamërisë bëri kritika ndaj qeverisë, duke thënë se sot në vend mbizotëron rrumpalla mavri.

Idrizi u shpreh se heqja nga Rama e konceptit “zonë minoritare” është tradhti.

“Shqipëriia doli me 9 minoritete, kurse Kosova ka 6", tha Idrizi.

"Shqipëria del me 9 pakica kombëtare, ndërsa ne kemi shqiptarë kudo përreth Shqipërisë. Në Shqipëri ka rrumpallë mavi. Qeveria vazhdon të bëjë gabime të mëdha. Ne vazhdojmë që të kërkojmë heqjen e ligjit të luftës".

"Kanë qenë dy zona minoritare në Shqipëri ajo e Dropullit dhe një në Finiq. Qeveria shqiptare ka luajtur mendsh. Heqja e konceptit “Zonë minoritare” është tradhti.  Ka ekzistuar koncepti i zonës minoritare që në kohën e Mbretit Zog. Kombësia jo si ndihesh, por sic je me fakte. Nëse është sesi ndihesh, i bie që edhe tifozët e Gjermanisë qenkan gjerman, të deklarojmë në census se jemi gjermanë dhe bëhemi pjesë e BE-së. Kjo është marrëzia e radhës. Lexoni konventat ndërkombëtare për pakicat dhe ata, pra pakicat duhet të jenë në kufi. Duan të bëjnë edhe Konispolin e Himarën dy gjuheshe”, tha Idrizi.

Shpëtim Idrizi vlerësoi se vetëm PDIU mbron kauzën çame dhe kombëtare, duke shtuar se Edi Rama e tradhtoi kauzën e madhe, për të cilën u betua fillimisht.

“Edi Rama tha më herët se do të bëjë për kauzën çame, por e tradhtoi. Tha kështu sepse i duheshin votat e çamëve. Të bëhemi bashkë që të sjellim çështjen çame sa më afër. PDIU ka qenë dhe mbetet me ata që duan Shqipërinë dhe shqiptarinë. Ky ishte një gjenocid i pashembullt në histori, kurse ne na ktheu në muhaxhir. Shpirtin e kemi në Çamëri. Ne nuk jemi muhaxhirë në histori, por ne jemi që në kohën e Homerit, të Pirros së Epirit, të Hasan Tahsinit, jemi me Mitrush Kutelin, me Ali Demin, Teme Sejkon etj. Mos e harroni Çamërinë se është gjaku ynë. Rroftë Shqipëria e bashkuar”, – u shpreh Idirizi.

Ish-deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri bëri thirrje që t’i bëhet më tepër trysni qeverisë në mënyrë që ajo të advokojë përpjekjet e kahershme të shqiptarëve të Çamërisë për të hequr akuzat e “pabaza”, siç i cilësoi ai, për “bashkëpunime me fashizmin”.

Për përvjetorin e 76-të të asaj që konsiderohet si “gjenocid”, Shoqata “Çamëria”, publikoi në Facebook një videomesazh sensibilizues.

Çamëria është një krahinë përtej kufirit jugor zyrtar të Shqipërisë. Në këtë krahinë banonin dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët në vitin 1944 u shpërngulën forcërisht nga autoritetet greke me pretendimin se “ishin bashkëpunëtorë të fashizmit”.

Çamët, që u shpërngulën në Shqipëri vuajtën përndjekje të vazhdueshme edhe nga regjimi komunist. Pas rrëzimit të diktaturës ata që e jetuan masakrën dhe pasardhësve të tyre ngritën pretendime për çështjen e pronave, pretendime të cilat u mohen nga autoritetet greke.

Më 30 qershor 1994, me propozim të deputetit të Vlorës Abedin Elmazi, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të shpallë datën 27 qershor në kalendarin kombëtar si “dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”, vendim që më pas u dekretua nga Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha.

Gjatë shpërnguljeve masive nga qytete si Paramithi, Parga, Filat, Vanar etj, u vranë rreth 3 mijë shqiptarë, emrat e të cilëve përkujtohen në një memorial të ngritur në Kllogjer të Sarandës.

Athina zyrtare nuk e njeh çështjen çame.

/NOA.al