Transmetuar më 27-06-2020, 18:59

Sipërmarrësit kryesorë të këpucëve, turizmit, shoqata të biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ngrenë shqetësimin për kushtet e ofruara nga qeveria te kredia me “Garancinë sovrane 2”, pasi norma e lartë e interesit 5% dhe subvencionimi 60% nga shteti janë të pafavorshme për t’i ndihmuar në periudhë krize. Për sektorin fason të veshjeve, kredia me garancinë e parë sovrane vlerësohet si mbështetje reale për pagat e punonjësve. Biznesit të vogël do t’i rritet aftësia për të mbijetuar pas COVID-19 nëse do të zbatohen ndryshimet ligjore për heqjen e tatimfitimit të thjeshtuar dhe TVSH-së, por Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Qendra e Eksporteve Shqiptare parashikojnë që mundësia për rritje informaliteti të jetë e lartë.

Nga Dorina Azo / Monitor

Një pjesë e sipërmarrësve në vend, shoqatave të biznesit dhe Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë nuk i vlerësojnë pozitivisht nismat e qeverisë për marrje kredie, nëpërmjet dy garancive sovrane, për t’u ardhur në ndihmë nga kriza e pandemisë COVID-19.

Garancia e parë sovrane kritikohet nga shoqatat e biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të kufizimit të skemës, që stimulon huadhënien vetëm për pagesat e punonjësve. Te kredia e dytë, ndryshe nga e para, biznesi mund të aplikonte për të pasur më shumë likuiditet dhe investime, po sipërmarrësit vlerësojnë se mekanizmat e përdorur dhe interesi i lartë deri në 5% e bëjnë të pafavorshme.

Gjergj Liqejza, përfaqësues i kompanisë së prodhimit të veshjeve të brendshme, “Madish”, është një nga sipërmarrësit që ka përfituar kredi të subvencionuar nga shteti për 700 punonjës. Sipas tij, kredia nga “Garancia sovrane 1” ishte e favorshme, pasi e ndihmoi për pagesat e punonjësve, në periudhën kur prodhimi i veshjeve të brendshme ra 60%.

“Ne kemi aplikuar dhe çdo gjë ka qenë e përkryer. Në periudhën e karantinës, pavarësisht se puna nuk është ndërprerë, pagesa e punonjësve për ne ka qenë e sforcuar, pasi për prodhimin e veshjeve të brendshme, punuam me 60% të kapacitetit të prodhimit. Kredia për pagat ka qenë një ndihmëse për ne. Marrja e saj ishte shumë e vlefshme.”

Garancia e parë sovrane, me vlerë 11 miliardë lekë, kishte si qëllim stimulimin e huadhënies për pagat e punonjësve të bizneseve që u prekën nga COVID-19. Shteti merrte përsipër garantimin 100% të principalit të huave. Norma e interesit në fillim u vendos deri në 2,85%, por më pas u hoq dhe pagesa e interesave u mor përsipër nga shteti. Huaja do të ketë edhe një periudhë grace (periudhë pa pagesë principali) deri në 3 muaj.

Luan Bregasi, President i BiznesAlbania, thotë për “Monitor” se, edhe pas heqjes së normës së interesit, aplikimet për kredi ishin të ulëta.

“Në shumë raste, biznesi refuzoi të aplikojë për përfitimin nga fondi i garancisë sovrane, pasi fillimisht u prezantua me interesa dhe subjekti i dhënies vetëm për paga ishte i kufizuar. Për këto arsye, nisma nuk u pëlqye nga të gjitha bizneset dhe nuk funksionoi plotësisht. Më pas, ne kërkuam heqjen e interesave, por edhe pas miratimit, interesimi nuk ishte i lartë. Arsyet ishin mungesa e përvojës dhe kufizimi i marrjes së kredisë vetëm për pagat. Nuk është e lehtë të marrësh kredi vetëm për pagat, pasi ato nuk prodhojnë vlerë të shtuar. Faktet tregojnë se pjesa më e madhe e këtij fondi nuk u konsumua.”

Sipërmarrësja e këpucëve e kompanisë “Donianna”, Donika Mici, shprehet se në të dyja nismat, shumë bizneseve iu refuzua kredia, për arsye të marrjes në analizë risku nga bankat. “Nga garancia e parë dhe e dytë sovrane kanë përfituar bizneset e shëndosha, që nuk kanë pasur detyrime karshi shtetit apo të palikuiduara në bankë për tre muajt e fundit. Janë ndihmuar vetëm bizneset e fuqishme që nuk janë dëmtuar nga kriza.

Në fakt, në luftë ndihmohen të plagosurit, ata shtrohen në spital dhe kurohen. Subjektet e tjera që para krizës vazhdonin aktivitetin, paguanin pagat, taksat dhe eksportonin janë lënë në mes të rrugës, vetëm për shkak të klauzolës së vendosur. Garancia e parë sovrane ishte vetëm për pagat e punonjësve 100% e subvencionuar nga shteti. Me garancinë e dytë sovrane, risku do të ndahej 60% për shtetin dhe 40% për bankat.

Dhënia e kredisë parashikohej të jepej sipas kushteve të bankës, ku biznesi do t’i nënshtrohej analizës së riskut, sikundër do të aplikonte për kredi në kohë normaliteti. Por me këto kushte, kjo nuk quhet më kredi sovrane për të ndihmuar rimëkëmbjen e bizneseve.”

Shtyrja e afatit të aplikimeve për kredinë e parë nga 1 qershori deri në 20 qershor, për Kryetarin e Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Durrës, Alban Isteri, tregon se nisma ka dështuar. Ai pohon se interesimi i ulët i biznesit erdhi pasi kushtet e kredisë me garanci sovrane nga shteti u aplikuan si për kredi normale. “Garancia e parë sovrane nuk kishte bazë ekonomike, pasi është shumë e vështirë që bizneset të marrin kredi për paga dhe një pjesë e lartë e tyre nuk kanë shfaqur interes. Interesi i biznesit është për kredi me qëllim likuiditeti. Edhe bankat janë treguar shumë të ngurta.

Shumë biznese mund të kenë pasur nevojë për kredi, por për shkak të problematikave të trashëguara në të kaluarën për shlyerje kredie, nuk u është miratuar aplikimi. Ka pasur një analizë risku, që logjikisht nuk duhet të ishte, pasi shteti hyn garant te biznesi që është në vështirësi. Nëse garancia sovrane, trajtohet si kredi normale, atëherë do të shfaqen problematika të ndryshme dhe kërkesat nga biznesi do të jenë të ulëta”.

Deri më 15 qershor, sipas të dhënave të Ministrisë të Financave, është shpërndarë mbi 50% e fondit. Janë miratuar 491 aplikime me vlerë 6,1 miliardë lekë nga 734 që janë kryer në total me vlerë rreth 8 miliardë lekë.

Garancia e parë sovrane

Deri më 15 qershor, sipas të dhënave të Ministrisë të Financave, është shpërndarë mbi 50% e fondit. Janë miratuar 491 aplikime me vlerë 6,1 miliardë lekë nga 734 që janë kryer në total me vlerë rreth 8 miliardë lekë.

Interesi 5% do të frenojë aplikimet

Sipërmarrësi Skënder Pashaj, përfaqësues i kompanisë së prodhimit të këpucëve “Fital”, thotë për “Monitor” se nuk ka qenë dakord me garancinë e parë sovrane, për marrje kredie për të paguar pagat. Për garancinë e dytë, Pashaj shprehet se marrja e kredisë për financim të lëndës të parë të prodhimit është e domosdoshme për sektorin e këpucëve në këtë periudhë, por interesi i lartë e bën masën e dytë të pafavorshme. “Kredia me interes nga 3,5 deri në 5%, në kohë krize, është e lartë. Ndërkohë në kohë normaliteti, ne kemi marrë kredi me interes 3,2%. Në këtë periudhë, kredia e sektorit tonë do t’i shërbente për të paguar lëndën e parë që puna të vazhdonte, pasi nga klientët po vonohen pagesat.

Të gjithë klientët më kanë njoftuar se pagesat do të fillojnë në fund të muajit korrik, për shkak se dyqanet qëndruan 3 muaj të mbyllur dhe nuk ka pasur shitje. Deri tani kemi rezistuar nga pagesat e vogla 5 mijë deri në 10 mijë euro që po kryejnë furnitorët, më pas do të shohim si do të veprojmë. Por nuk do të preferoja të merrja kredi nga garancia e dytë sovrane, për shkak të interesit të lartë. Në marrëveshjet që kam lidhur me bankat para situatës së krijuar nga COVID-19, gëzoj të drejtën për të përfituar brenda vitit, kredi me interes deri në 2.2%”.

Kredia direkt nga bankat më e favorshme

“Nuk do të preferoja të merrja kredi nga garancia e dytë sovrane, për shkak të interesit të lartë. Në marrëveshjet që kam lidhur me bankat para situatës së krijuar nga COVID-19, gëzoj të drejtën për të përfituar brenda vitit, kredi me interes deri në 2.2%”.

Garancia Sovrane I në masën 11 mld lekë

• Aplikohet nga bizneset në çdo bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë • Garantohet 100% nga shteti • Paguhen pagat e tre muajve të punonjësve të kompanive të prekura nga situata e COVID-19 • Interesi subvencionohet nga Qeveria Shqiptare, • Periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 3 muajsh

Garancia Sovrane II në masën 15 mld lekë

• Aplikohet për bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë • Aplikohet për nevoja në kapital qarkullues dhe investime • Instrumenti që ndan riskun me bankat, duke mbuluar 60% të principalit të çdo huaje nga shteti • Kushte preferenciale financimi, dhe afat shlyerje deri 5 vjet • Periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 6 muajsh

“Garancia sovrane 2” e pavlefshme për turizmin

Totali i fondit nga “Garancia sovrane 2” është 15 miliardë lekë. Shteti hyn garant për 60% të principalit të huasë, ndërsa 40% do të mbulohet nga bankat. Qëllimi i huadhënies është për investime, likuidet apo kapital qarkullues. Kredia me garancinë e dytë sovrane ka normë interesi deri në 5%.

Interesi për kredi me “Garanci sovrane 2” mendohet i lartë edhe nga Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar. Sektori i turizmit ende vuan mungesën e turistëve dhe kontratat me operatorët pritet të nisin në muajin korrik. Mungesa e turistëve, rezervimet e anuluara krijojnë klimë të papërshtatshme sipas zotit Kasa, që sektori të ngarkohet me kredi, pasi do të shtonin barrën e detyrimeve.

“Nga sektori i turizmit nuk ka asnjë aplikim, pasi 60% e principalit mbulohet nga shteti dhe 40% nga bankat. Edhe interesi 5% është shumë i lartë. Të gjitha subjektet që kanë marrë kredi apo janë në proces ristrukturimi, e kanë më të leverdishme të hyjnë vetë në negociata me bankat, sesa të aplikojnë nëpërmjet garancisë sovrane.

Në sektorin tonë ka subjekte që kanë marrë kredi me interes 3,5%, apo maksimumi deri në 3,75%. Po ta krahasosh edhe me masat që kanë marrë fqinjët tanë, si Maqedonia apo Mali i Zi, rezulton se kjo masë e marrë nga shteti është e pavlefshme për ne. Përkundrazi është një barrë e shtuar për ne, sepse në kohën që nuk ka aktivitet, kufijtë janë të mbyllur, lëvizja e turistëve ende nuk ka nisur, shërbimi turistik nuk po funksionon.

Strukturat akomoduese më të mëdha në vend me 500 dhoma, aktualisht po punojnë vetëm me pushues vendas për fundjavë. Pra, sektori i turizmit ende nuk ka nisur punën, edhe prenotimet që ishin bërë më parë janë anuluar. Nga rezervimet kanë mbetur vetëm 10% e tyre dhe kontratat për sezonin turistik pritet të nisin në muajin korrik.”

Sektori i këpucëve, pa mbështetje

Donika Mici thotë se kredia nga “Garancia sovrane 2” i është refuzuar për shkak të ristrukturimit të një kredie të mëparshme. “Dy-tre muaj para pandemisë, isha në një ristrukturim kredie për të përfituar një kredi afatgjatë 10-vjeçare. Duke qenë se kredia ishte me afat 7-vjeçar, kisha një mungesë të theksuar likuiditeti, pasi principali që paguaja ishte shumë i lartë. Për shkak të mospagesave, që është vendosur të mos kryhen me vetëdije, jam listuar me risk dhe për këtë arsye më është refuzuar kredia sovrane për të vazhduar aktivitetin”.

Kreu i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, në Durrës, Alban Isteri, e cilëson kredinë me garancinë sovrane 2, të pafavorshme për biznesin jo vetëm për shkak të interesit të lartë, por edhe procedurave burokratike. “Ne kemi propozuar një variant më konkret, me rregulla konkrete dhe disbursim të menjëhershëm. Përfshirja e rrugëve burokratike nisin vështirësitë dhe vonesat, ndërsa biznesi ka të nevojshëm disbursimin e menjëhershëm të fondeve. Fakt është që shteti nuk ka hyrë garant me kapacitet të plotë te garancia e dytë, por me një përqindje të caktuar, pasi pjesa e mbetur e riskut te bankat e vështirëson procedurën.”

Presidenti i BiznesAlbania e vlerëson pozitivisht këtë masë, pavarësisht dokumentacionit të tepërt që po kërkohet. “Në garancinë e dytë sovrane pati disa përmirësime dhe oferta ndaj biznesit ishte më e mirë, sepse nuk ishte vetëm për pagat e punonjësve, por edhe për kapital qarkullues, shlyerje të faturave dhe blerje të lëndëve të para. Por edhe këtu u krijuan probleme, pasi fillimisht u tha që nuk do të aplikohen interesa, ndërsa vendimi parashikon interesa deri 5%.

Së dyti, bankave iu la risku deri në 40% dhe ato hezituan në dhënien e kredisë. Nga bankat kërkohet më shumë garanci, dokumentacion. Më shumë dokumentacion po kërkohen tani nga bankat, sesa kur merret një kredi në periudhë normale. Pavarësisht këtyre vështirësive, garancia e dytë duhet përshëndetur, pasi përmirësimet bënë që numri i bizneseve që aplikuan të jetë i lartë. Jemi në hapat e para dhe nga bankat ka nisur shqyrtimi i kërkesave”.

Heqja e TVSH dhe tatimfitimit te biznesi i vogël do të rrisin informalitetin

Një nismë e re po shqyrtohet nga qeveria që biznesi i vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë të përjashtohet nga TVSH. Për biznesin e vogël do të merret vendim që edhe tatimi i thjeshtuar 5% për fashën me xhiro 5 milionë lekë deri në 14 milionë lekë të bëhet zero deri në 2029.

Pas prezantimit nga kreu i qeverisë i të dyja nismave, ende nuk ka detaje konkrete për hartimin e tyre, por Alban Zusi, president i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, thotë se këto nisma mund të rrezikojnë të rrisin informalitetin. “Është pozitive që biznesi të ketë më shumë të ardhura që mund t’i përdorë për rritjen e qarkullimit, konsumit dhe investimeve për të kaluar nga biznes i vogël në biznes të mesëm.

Por nga ana tjetër, tavanet e vendosura janë të tilla që demotivojnë rritjen dhe formalizimin e biznesit të vogël. Me tavanet e vendosura, biznesi i vogël i ndershëm nuk ka interes t’i kalojë, ndërsa biznesi që është më guximtar do t’i kalojë tavanet, por nuk ka interes t’i deklarojë. Këto limite shërbejnë si frenues për formalizimin e biznesit të mesëm, sepse kjo kategori do të ndodhet para një barriere të madhe, pasi as forca e ligjit dhe inspektorateve nuk janë aq të forta sa është stimuli i brendshëm i një biznesi të vogël për të mos marrë faturën.

Nëse deri tani, inspektorët tatimorë janë përballur me forcën e brendshme të disa bizneseve të mesme për të mos u formalizuar, tani do të përballen me forcën e brendshme të të gjithë biznesit të vogël, për të mos u formalizuar. Por tashmë me një forcë më të madhe, pasi krijohen shumë para nga tatimfitimi dhe TVSh-ja e plotë dhe motivacioni për të mos u formalizuar është shumë më i lartë, sesa ishte më parë”, shpjegon Zusi.

Ndryshimet ligjore për uljen e shkallës së regjistrimit të biznesit të vogël në TVSH në 2 milionë lekë u kundërshtuan në vitin 2018 nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë. Shqyrtimi i mundësisë që këto biznese të hiqen nga TVSH konsiderohen nga përfaqësues të Dhomës të Tregtisë si nisma mbështetëse, pasi i jep frymëmarrje biznesit të vogël.

“Me këtë nismë, biznesi i vogël do ta ketë më të lehtë të mbijetojë. Ne kemi qenë kundër futjes të TVSh-së te biznesi i vogël, pasi këtë kategori e kemi parë, si motor social të punësimit, sesa si biznese kontribuuese për të ardhurat e buxhetit të shtetit. Edhe nisma për heqjen e tatimfitimit 5% për bizneset me xhiro nga 5 milionë lekë deri në 14 milionë lekë në vit është për t’u përshëndetur, pasi i ndihmon bizneset në kapërcimin e situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19”, thotë zoti Isteri nga Dhoma e Tregtisë të Durrësit.

Nëse pas këtyre vendimeve, autoritetet fiskale do të rrisin presionin te biznesi e madh, që konsiderohet punëdhënësi dhe investuesi më i madh, sipas përfaqësuesit të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, efektet do të jenë negative.

“Për sa i përket pjesës së rritjes të barrës fiskale për biznesin e madh, ne jemi kundër, pasi do të shkaktonte probleme të mëdha për rritjen e numrit të papunëve, do të përkeqësonte klimën e të bërit biznes dhe do të largonte investitorët e huaj në vend, që prej vitesh janë të ulëta. Në këto momente është e domosdoshme që për sektorët e prodhimit të ulet kostoja, të ulet TVSH-ja për turizmin, bujqësinë dhe peshkimin. Rritja e taksave do të ishte e pavend dhe joproduktive për situatën në të cilat ndodhen bizneset.”

Paketa e ndihmës financiare, bonusi 40 mijë lekë duhet të ishte për të gjithë bizneset

Dy paketat financiare mbështetëse, siç ishte paketa e parë financiare për dhënien e ndihmës financiare deri në 3 paga minimale për biznesin e vogël dhe të vetëpunësuarit konsiderohen nga Alban Isteri, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Durrës, më shumë paketa sociale, sesa mbështetëse ndaj sipërmarrjes. Për shpërndarjen e bonusit prej 40 mijë lekësh për të larguarit nga puna te biznesi i madh, zoti Isteri thotë se duhej të përfitohej nga të gjithë punonjësit e sektorit të prodhimit dhe shërbimeve.

“Ne prisnim nga qeveria hartimin e një pakete reale të mbështetjes dhe rimëkëmbjes tek ekonomia, pasi në këtë situatë, ekonomia është shumë keq. Bonusi prej 40,000 lekë po jepet për punonjësit e larguar te biznesi i madh i prodhimit, fason dhe turizëm. Nga ana jonë u kërkua të jepet në formën e subvencionit për të gjithë punonjësit.” Qeveria zgjeroi më herët fashën e përfituesve me shtyrjen e afatit të punonjësve të larguar nga 10 prilli që ishte deri në 17 maj.

“Kjo kategori përfituesish, sipas nesh me legjislacionin aktual duhej të përfshihej në pagesat e papunësisë që janë 13 mijë lekë në muaj, për 3 muaj apo 6 muaj. Po ashtu bizneset që mbajtën punonjësit në punë, duhet të ishin subvencionuar”.

Nga paketa e dytë financiare në dhënien e ndihmës prej 40,000 lekësh për të larguarit nga puna te biznesi i madh, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave deri më 2 qershor është përfituar nga 129,458 punonjës apo rreth 61% e tyre, nga 210 mijë që është në total numri i përfituesve. Paketa e dytë u zgjerua me 32 mijë përfitues, nga 176 që ishte në fillim, pas ndryshimit të VKM, për përfshirjen për të larguarit nga puna për periudhën 1 mars-17 maj, deri më 10 Prill që ishte më parë. Fondi i lëvruar është 5,1 miliardë lekë nga 8,4 miliardë lekë e shumës totale të parashikuar të disbursohet pas ndryshimeve të aktit normativ të qeverisë.

Biznesi mbështet amnistinë e kapitaleve

Sipërmarrësit kryesorë dhe shoqatat e biznesit e konsiderojnë zbatimin e amnistisë së kapitaleve një nismë të domosdoshme për formalizimin e ekonomisë. “Amnistia e kapitaleve është e domosdoshme për ekonominë dhe mendoj se duhej të ishte zbatuar më parë. Pjesa më e madhe e parave në këto 30 vite ka qarkulluar në informalitet dhe nisma do të ndihmonte te formalizmi i ekonomisë.

Herë pas here, edhe vende europiane, apo edhe Italia zbatojnë amnisti”, pohon zonja Mici, sipërmarrësja e kompanisë së këpucëve. Skënder Pashaj thotë se qeveria duhet të tregohet e kujdesshme, të forcojë mekanizmat për të mos lejuar legalizimin e parave të pista nga krimi. “Legalizimi i të ardhurave të padeklaruara nga puna ndër vite do t’i shërbente ekonomisë, do të ulte informalitetin dhe do të rriste punësimin. Italia ka zbatuar shpeshherë amnisti, por këto nisma atje nuk kanë funksionuar”.

Alban Zusi, presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, shpjegon se mekanizmat në draftin e hartuar nga qeveria nuk lejojnë formalizimin e parave të pista në ekonomi dhe mundësojnë formalizimin e biznesit informal. “Niveli i lartë i informalitetit në ekonomi, sidomos në shumicën e rasteve në 10 vitet e fundit është i imponuar nga rrethanat, dhe jo i kërkuar nga biznesi i mesëm, pasi biznesi i vogël nuk pranon marrjen e faturës. Kësaj kategorie i ofrohet një mundësi për deklarimin e kapitaleve, të krijuara në informalitet të imponuar. Kjo për shkak të vështirësive të procedurave, apo presioneve korruptive nga procedurat e marrjes së lejeve të ndërtimit, për investime etj., ku biznesi është i detyruar të investojë me mënyra të palegalizuara”.

Legalizimi i të ardhurave të padeklaruara do të bëhet kundrejt një tatimi, që nis nga 5% deri në 10% sipas përcaktimeve që bëhen në draft. Konkretisht, nëse vlera do të deklarohet në 4 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit do të tatohet 5%; në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit, 7%; dhe në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit, 10%.

Edhe për rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale të ngritur në kuadër të këtij ligji, tatimi i posaçëm në burim do të paguhet në vlerën nga 5 deri në 10%, në varësi të afatit të deklaruar. Zoti Zusi thotë se tatimi për legalizimin e të ardhurave të padeklaruara është i arsyeshëm.

“Mjaft e rëndësishme është të përmirësohet garancia për mosvazhdimin e informalitetit, pas deklarimeve të përcaktuara në ligj.” Për kreun e Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë në Durrës, tatimi 5% është i lartë dhe në këto nivele rrezikohet të kthehet në taksë të mirëfilltë. Zoti Isteri propozoi më herët aplikim tatimi në nivelet 2-3%.

Drafti i qeverisë për amnistinë e kapitaleve përfshin edhe legalizimin e pasurive të tjera, të padeklaruara deri tani, me vendndodhje brenda dhe jashtë Shqipërisë, si: pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, shuma në të holla, monedhë shqiptare apo e huaj (CASH), monedhë dixhitale, sende me vlere ar apo gurë të çmuar, vepra arti, tituj (securities), apo instrumente të tjerë të tregjeve financiare, pasuritë e luajtshme të regjistrueshme në regjistrat publikë.

Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, pohon se gjithëpërfshirja e llojit të pasurisë që do të legalizohet që nga të ardhurat e padeklaruara, pasuritë e paluajtshme apo edhe sende me vlerë pritet të japë efekte pozitive në ekonomi. “Është pozitive që nisma përfshin legalizimin e gjithë llojeve të pasurisë, pasi kjo do të ndihmonte në formalizimin e ekonomisë, rritjes të qarkullimit të parasë të legalizuar. Nëse nisma do të kontestohet nga politika, atëherë zbatimi i saj do të jetë i pamundur.”

Kërkohen vendime fiskale edhe te paketa e rimëkëmbjes

Që recensioni të mos arrijë në shifra alarmante, biznesi kërkon zbatim të disa mekanizmave fiskalë. Pavarësisht nismave konkrete si: dy paketat e ndihmës financiare për pagesat e biznesit të vogël me 3 paga, nga 26 mijë lekë, bonousi prej 40 mijë lekë për të larguarit nga puna te biznesi i madh, apo garancia e parë sovrane e subvencionuar nga shteti për pagat dhe kredia e dytë 60% e subvencionuar nga shteti në ndihmë të bizneseve të prekura nga kriza e pandemisë, për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, në paketën e rimëkëmbjes duhet të jenë të përfshira edhe vendime të tjera fiskale.

Alban Isteri nënvizon se fillimisht duhet të ndërhyhet në sektorin e turizmit. “Paketa e rimëkëmbjes ekonomike duhet të jetë e fokusuar te nxitja e punësimit, pra që biznesi të stimulohet për hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos te turizmi. P.sh., në turizëm, nëse një turist do të pushojë 3 ditë, 1 ditë t’i subvencionohet biznesit nga shteti.

Sezoni turistik po shkon drejt dështimit dhe kjo është shumë e dëmshme, qoftë për rritjen e papunësisë, pasi 60-70% e të punësuarve në këtë sektor janë të punësuar sezonalë, të gjithë mbeten të papunë. Duhet të zbatohen mekanizmat për subvencionimin e biznesit, me qëllim që papunësia të mos rritet, por edhe konsumi të mos bjerë, pasi për shkak të rënies të të ardhurave është ulur. Një mekanizëm mund të ishte bonuse të përcaktuara për shpenzim të produkteve ushqimore nga popullata, apo edhe për turizëm, për pushime në Shqipëri.”

Kostot e prodhimit duhet të lehtësohen, sipas Isterit, me heqjen e akcizave të karburantit, uljen e çmimit të energjisë, pasi do të rrisin konkurrueshmërinë në situatën e re të krijuar. “Shteti të stimulojë hapjen e bizneseve të reja, të stimulojë njerëzit për të nisur një start up, si një mekanizëm që është ndërmarrë nga shumë vende të rajonit dhe Europës. Këta mekanizma realë mbështetës ndaj ekonomisë do të shmangnin recensionin ekonomik, që të mos arrijë shifra alarmante 10 deri në 15%, pasi do të krijonte efekte shumë të dëmshme për ekonominë, që do të duhen shumë vite të rikuperohen.”

Kërkesat e biznesit

Prodhuesit e këpucëve ende vuajnë mungesën e porosive, lëndës së parë, vonesat në pagesa nga furnitorët, për shkak të rënies të shitjeve dhe stokut të madh të krijuar. Donika Mici, sipërmarrësja e kompanisë së këpucëve, ku janë të punësuar rreth 1,400 punonjës, shpjegon se ka shumë pak porosi, çka nuk arrin t’i përfshijë të gjithë punonjësit në punë. Zonja Mici thotë se nisur nga vështirësitë e mëdha që po has ky sektor është e domosdoshme që shteti t’i subvencionojë bizneset e goditura nga kriza me ndihmë financiare.

“Ne nuk duam të dalim nga tregu dhe për këtë arsye jemi të detyruar të paguajmë kostot. Në këtë periudhë vështirësie është e nevojshme për injektim likuiditeti nga shteti, në formën e ndihmës financiare të bizneseve dhe sektorëve që zënë peshën kryesore tek eksportet, punësimi. Mbyllja e bizneseve do të ndikojë në rritjen e papunësie, shumë njerëz do të humbasin vendin e punës dhe për ta do të paguhet pagesa e papunësisë, pra do të jetë një barrë tjetër për shtetin. Vendi do të varfërohet, do të ketë rënie të konsumit.

Mendoj që më e përshtatshme për qeverinë do të ishte të injektonte fonde për biznesin për t’i mbajtur në këmbë këto sipërmarrje, me qëllim që punonjësit të mos humbasin vendin e punës. Tashmë të punësuarit në vend me pagat kanë krijuar një standard jetese, që do të këputet, pasi nuk është njëlloj të paguhesh me 30 mijë apo 40 mijë lekë në muaj dhe të përfitosh asistencë 13 mijë lekë që përfundon pas 1 viti.

Shteti ka vetëm të mira materiale nga njerëzit që janë në punë, pasi ata paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe me këto të ardhura paguhen pensionet. Dalja e tyre nga sistemi i sigurimeve shoqërore dëmton, të ardhurat për pensionet, për mirëqenien e familjes. Në shtator pritet që situata ekonomike të përkeqësohet, po ashtu edhe eksportet pritet të shënojnë rënie. Pra ishte e domosdoshme që shteti të ndihmonte me likuiditet sektorin, pasi kjo do të garantonte pagesat për lëndën e parë, për furnitorët, për porositë me qëllim që puna të vazhdojë”.

Zonja Mici thotë se ka nisur të nxjerrë në asistencë shumë prej punonjësve. “Kemi filluar të nxjerrin në asistencë shumë prej punonjësve dhe deri në 70% e tyre do të dalin të papunë, sepse jemi të detyruar ta bëjmë këtë, pasi nuk përfitova kredinë nga garancia sovrane. Të paktën këta punonjës të përfitojnë pagesën e papunësisë, pasi kanë kontribuar me pagesat e sigurimeve shoqërore.

Mbështetja për sipërmarrësit e dëmtuar nga COVID-19, si dhënia e kredive të buta dhe ndihma financiare nga shteti konsiderohet e nevojshme edhe nga Luan Bregasi, i BiznesAlbania-s.

“Skenari i qeverisë në mbrojtje të biznesit u zbatua shumë mirë. Zbatimi i skenarit për mbrojtjen e biznesit të dëmtuar dhe ekonomisë nuk ka qenë i njëjtë si ai për mbrojtjen e shëndetit. Shteti duhej të ishte treguar po aq i kujdesshëm edhe me sipërmarrjen, siç u tregua ndaj kujdesit të shëndetit, masat që u morën ishin të shpejta dhe efikase. Masat e marra në mbështetje të ekonomisë nuk ishin maksimale, me qëllim që krahas ruajtjes të shëndetit, të mbrohej edhe ekonomia.

Mendoj se qeveria shqiptare fillimisht hapjen e ekonomisë duhet ta shoqëronte edhe me masa mbështetëse ndaj biznesit, si dhënia e kredive të buta dhe ndihmave shtetërore për ndërmarrjet që u prekën nga COVID-19. Nga bizneset u vlerësua shtyrja për së dyti e ristrukturimit të kredive deri në fund të muajit gusht. Kërkesa e biznesit është që për sektorët më shumë të goditur, si turizmi, fasonët, transporti dhe shërbime të ndryshme që u mbyllën, të shihet mundësia që pas këtij afati të paguhen vetëm interesat dhe principali të shtyhet 9 deri në 12 muaj”, thekson Bregasi.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page