Transmetuar më 27-06-2020, 18:12

Ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali komentoi vendimin që dha dje gjykata për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, gjithashtu edhe ish-kreu i PS-së së Tiranës.

Apeli vendosi që çështja ndaj Tahirit të rikthehej sërish për gjykim.

Spiropali tha se ndjen keqardhje njerëzore për Tahirin, ndërsa shtoi se kjo çështje është zgjatur mjaftueshëm. Mes të tjerash ministrja tha se uron që Saimir Tahiri të gjejë të drejtën e tij.

"Nuk mund të komentoj një vendim gjykatë, por ndjej një keqardhje të madhe njerëzore për Saimir Tahirin. Kaq mund të thuhet në këtë pikë. S’jam e njohur me detajet e vendimit dhe çështjen në brendësi. Mund të them se është zgjatur mjaftueshëm, sa për të ndjerë këtë keqardhje për njeriun, Saimir Tahiri", u shpreh Elisa Spiropali, e ftuar sot në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’.

E pyetur nëse duhet patur ende besim tek drejtësia e re, në këtë rast, duke qenë se ajo po ngrihet me qëllim që pandërshkueshmëria në rangjet e larta të politikës të mos jetë më tabu në Shqipëri, Spiropali tha:

"Nuk mund të nisesh nga çështje individuale për të gjykur mbi një reformë kaq të madhe. Reforma është e gjerë. Ka përfshirë shumë aktorë, ka kushtuar shumë, si financiarisht dhe në kontributin njerëzor. Është investuar shumë kjo maxhorancë. Ka shtuar besimin e qytetarëve në një drejtësi të re."

Gazetarja e ngacmoi më shumë ministren, duke i kujtuar faktin se derisa u shkarkua nga detyra, kryeministri Rama e konsideroi atë shpesh si ministri më "kampion" i kabinetit.

"Askush s’mund t’ja mohojë Tahirit, punën e tij, energjinë në PS, si kryetar i Tiranës, apo ministër i Brendshëm. Nuk mund t’i gjykojmë bardhë e zi njerëzit. Të gjithë njerëzit kanë dritëhijet e tyre. Saimir Tahiri, duke qenë një njeri energjik dhe produktiv, padyshim ka të tijën. S’mund të mohojmë atë që ka qenë dhe ka bërë Tahiri vetëm për këtë rast apo për këtë çështje", tha Spiropali.

/NOA.al