“Hashim Thaçi, Vlora krenohet me ty”, pezullohet ndeshja derisa hiqen “bonderolat politike” nga stadiumi. Idrizi konfrontohet me zyrtarët
Transmetuar më 27-06-2020, 17:31

Është ndërprerë për të nisur 16 minuta me vonesë ndeshja mes Flamurtarit dhe Luftëtarit, e vlefshme për javën e 31-të, të Kategorisë Superiore.

Në orën 17:00 duhet të kishte nisur ndeshja mes Flamurtarit dhe Luftëtarit, por ndryshe nga takimi tjetër i ditës së sotme, mes Partizanit dhe Laçit , nuk ka ndodhur kështu në Vlorë. Për shkak të dy banderolave të vendosura, në shkallët e stadiumit të Flamurtarit, ndeshja u pezullua për më shumë se 15 minuta.

“Hashim Thaçi, Vlora krenohet me ty”, dhe "Drenica, zemra e shqiptarisë", ishin dy parrulla që u konsideruan nga delagati i ndeshjes, me karakter politik.

Zyrtarët e ndeshjes nuk lejuan nisjen e takimit, deri në heqjen e banderolave.

Kujtojmë se Thaçi u akuzua javën e fundit për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit, nga një aktakuzë e Prokurorisë Speciale, lidhur me rolin e UÇK-së gjatë luftës.

Në fushë zbriti edhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili është konfrontuar me zyrtarët e ndeshjes. Për disa momente nuk pati asnjë veprim, dhe u duk se ndeshja mund të pezullohej përfundimisht, derisa u vendos që parrullat të hiqeshin dhe takimi të niste me vonesë.

Sipas Idrizit banderolat nuk kanë lidhje me politikën, por thjesht për admirimin e ndërsjelltë që Thaçi dhe tifozët vlonjatë kanë për njëri-tjetrin. Megjithatë dy banderolat janë hequr nga stadiumit dhe janë shpalosur jashtë tij, që ndeshja të riniste.

Flamurtari dhe Luftëtari kanë rënë në një kategori më poshtë dhe kjo ndeshje ka vlerë sa për statistikë.

/NOA.al

Loading...