Hoti: Kemi mbështetjen e PE-së për liberalizimin e vizave! S’ka alternativë, veç dialogut me Serbinë
Transmetuar më 27-06-2020, 11:32

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për mediat ditën e sotme, informoi lidhur me dialogun me Serbinë, si dhe anulimin e takimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti tha se temat që janë diskutuar në këto takime janë me interes vital për Kosovën duke filluar nga vizat.

“Them se ka mirëkuptim nga BE për lëvizjen e lirë të kosovarëve dhe të gjithë e pranojnë se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave dhe është obligim i yni t’i mbajmë ato kritere. Unë pres që disa prej vendeve anëtare që kanë qenë skeptike me përkushtimin e treguar nga qeveria e re për zbatimin e agjendës së MSA-së të lëvizim së shpejti pa viza. Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian i kanë shkruar Merkelit dhe së shpejti Gjermania merr kryesimin e Parlamentit Evropian dhe besoj ka një pajtim të të gjithë anëtarëve të KE-së për liberalizim të vizave”, u shpreh Hoti.

Ai shtoi se zhvillimet politike dhe ato të fundit në veçanti, e kanë ndryshuar dinamikën e axhendës së qeverisë, pas njoftimit për dorëzim të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në ngarkim të Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Hoti deklaroi se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është arritja më e madhe për përpjekjen për pavarësi, kjo luftë e ka arritur lirinë dhe pavarësinë dhe në fakt shpallja e pavarësisë e legjitimon luftën e UÇK-së.

Sipas tij, duhet të pajtohen të gjithë parimin e drejtësisë që është prezumimi i pafajësisë derisa nuk ka vendim përfundimtar.

“Jemi të bindur që të gjitha institucionet do të tregojnë maturi në këtë situatë të re të treguar për të respektuar plotësisht obligimet tona kushtetuese dhe ligjore. Dhe çështja e fundit është procesi i dialogut dhe pavarësisht ndryshimeve politike kohëve të fundit ne si qeveri mbesim të përkushtuar dhe mbesim të qartë në qëndrimin se dialogu nuk ka alternativë dhe dje këtë e kam thënë para zyrtarëve të BE-së. Është me interes për shtetin e Kosovës që të përmbyllet ky proces, meqenëse ka interes nga vendet kyqe të BE-së dhe SHBA-të. Për shkak të zhvillimeve të fundit kemi shtyer takimin në Uashington dhe unë kam pasur diskutime intensive me Grenell dhe me të jemi pajtuar për datën e re e cila do të ndodh së shpejti dhe ju do të njoftoheni. Agjenda e atij takimi mbetet e njëjtë përsëri, që t’i jep shtysë dialogut me një shtysë ekonomike”, deklaroi ai.

Kryeministri i Kosovës tha se po bëhen përgatitjet e fundit për samitin e Parisit, duke shtuar se si qeveri është gati që të jetë pjesë e atij Ssmiti që kryesohet nga dy shtetet kryesore të BE-së, me angazhimin e madh të Emmanuel Macron dhe Angela Merkel.

“Ne do të punojmë shumë në qeveri për të funksionalizuar ekipën për dialog përmes ekspertëve për dialog të cilët do të kujdesën për t’i hartuar të gjitha temat në interesin tonë në këtë dialog”, tha Hoti. /a.y/noa.al

Loading...