Transmetuar më 27-06-2020, 08:30

Vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë arritur të miratojnë një listë përfundimtare të vendeve të sigurta ku qytetarët e unionit mund të udhëtojnë nga 1 korriku. Ambasadorët e 27 vendeve diskutuan për shumë orë të premten në mbrëmje për të vendosur kriteret për vendet ku mund të udhëtohet prej të mërkurës, pa hyrë në karantinë.

Diplomatët thonë se për marrjen e një vendimi përfundimtar, fillimisht duhet diskutuar me qeveritë e këtyre vendeve.  Diskutimet kanë vijuar dhe pas mesnatës duke gdhirë e shtuna, por pa arritur në një vendim final.

Deri tani vendet e unionit kanë vendosur të hapin kufijtë me Malin e Zi dhe Serbinë. Kjo do të thotë se për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën kufizimet do të mbeten, edhe pas ditës së parë të korrikut. Në listën e lejuar nuk bëjnë pjesë as SHBA, Brazili dhe Rusia.

Në listën paraprake të vendeve që do të lejohej hapja e kufijve bënte pjesë dhe Shqipëria, por sa kohë ende nuk ka një vendim përfundimtar, nuk dihet nëse kjo gjë do të lejohet duke nisur nga 1 korriku.

Para më shumë se dy javësh Komisioni Europian kishte propozuar që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë e BE-së nga 1 korriku, duke marrë parasysh, se atëherë, situata epidemiologjike e koronavirusit ishte e ngjashme, apo edhe më e mirë sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ka qenë ai që të ketë pasur më pak se 16 raste për 100.000 banorë në dy javët e fundit.

Por, prej atëherë situata është përkeqësuar dukshëm dhe janë shënuar raste të shumta të personave me koronavirus në këto shtete. Kjo ka bërë që ato të bien nga lista e vendeve për të cilat rekomandohet heqja e kufizimeve nga data 1 korrik.

Greqia kërkon kryerjen e një testi për COVID-19 për disa vende të BE-së ku përfshihen Franca, Italia, Holanda dhe Spanja dhe vetëizolim deri në daljen e rezultateve. Ndërsa Republika Çeke nuk do të lejojë turistë nga Portugalia, Suedia dhe një pjese të Polonisë.