Transmetuar më 26-06-2020, 16:52

Partia Demokratike është futur në një proces riorganizimi, një vit para zgjedhjeve parlamentare, me synimin për t’u rikthyer  sërish në pushtet, pas tetë vitesh në opozitë .

Siç dihet, Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore arriti dakordësinë për draftin e ri të Kodit Zgjedhor dhe mënjehërë pas kësaj, Partia Demokratike nisi nga puna për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dje Kryesinë e PD-së për t’u shpjeguar udhëzimin që do të ndjekin për identifikimin, seleksionimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin qendror dhe atë lokal.

Nga data 15 deri më 30 shtator do të jetë procesi i përzgjedhjes.

Komisioni Zgjedhor në Partinë Demokratike do të përgatisë listën e votuesve dhe 10 ditë para datës së votimit do të bëjnë me dije vendin e votimit dhe listën e votimit. Këshilli Kombëtar do të votojë kandidatët e selektuar.

Por në këtë rast, anëtarët e PD-së nuk do të votojnë preferencën e tyre për kandidatë, por do të votojnë ata, të cilët nuk duan që të jetë në listën e kandidatëve.

Çdo anëtar ka të drejtë të votojë më shumë se një, por jo më shumë se 20% të numrit të kandidatëve në listë në nivel seksioni.

Po ashtu 80% e listës së kandidaturave do të përzgjidhet nga anëtarësia e Partisë Demokratike, ndërsa 20% e listës nga Kryesia e PD-së.

KOORDINATORËT E PROCESIT SIPAS QARQEVE

Tiranë: Jorida Tabaku (por jo në degën e saj), Grida Duma, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Arben Kashahu

Durrës: Edmond Spaho, Ina Zhupa, Gent Strazimiri e Orjola Pampuri

Korçë: Arben Ristani, Sahit Dollapi, Nada Mecorrapaj, Endri Hasa

Fier: Bardh Kadilli, Etion Kapedani, Arben Ibro

Vlorë: Ervin Minarolli, Dhurata Çupi, xhemal Gjunkshi

Gjirokastër: Ervin Salianji dhe Fatbardh Kadilli

Berat: Tomorr Alizoti dhe Lindita Metalia

Shkodër: Gazment Bardhi, Ivi Kaso

Dibër: Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata

Kukës: Kreshnik Çollaku, Andon Frrokaj

Procesi do të jetë i ndarë në katër faza:

a) Procesi në nivel dege për identifikimin dhe propozimin e kandidaturave. b) Procesi i seleksionimit të kandidaturave nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve. c) Procesi i konsultimit me parimin “një anëtar, një votë” për kandidatët e mundshëm nga anëtarësia. d) Përzgjedhja dhe caktimi nga Kryesia e partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar.

Kandidatët e Partisë Demokratike për përfaqësim politik në nivel qendror dhe lokal duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) të kenë kryer arsimin e lartë; b) të kenë një profil të spikatur shoqëror në degë apo qark, integritet të lartë moral dhe përgatitje të lartë profesionale. c) të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar;

ç) në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike.

Procesi i propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave mban në konsideratë:

a) përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. b) përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. c) përfaqësimi i shtresës së të përndjekurve politikë e pronarëve.

ç) kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile, përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve, përfaqësues të diasporës, përfaqësues të sipërmarrjes, personalitete politike me kontribut të gjatë në parti etj.

Procesit të propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave nuk i nënshtrohen kryetari i partisë, sekretari i përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, kryetari i Këshillit Kombëtar dhe kryeministrat gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

Anëtarët e partisë kanë të drejtën e identifikimit dhe propozimit të kandidaturave të mundshme elektorale, të cilat duhet të plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë udhëzim. Çdo anëtar ka të drejtën e vetëm një propozimi në mbledhjen e grupseksionit ku ai është anëtar, në përputhje me parimin “një anëtar, një votë”.

/NOA.al