Thaçi përzë EULEX-in: Nuk ka pse rri më në Kosovë!
Transmetuar më 26-06-2020, 03:38

Misionit të EULEX-it i ka skaduar mandati më 14 qershor dhe nuk ka mandat më për të qëndruar në Kosovë. Kjo është konfirmuar nga zyra e Presidentit të Republikës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës nuk ka parë asnjë arsye që të vazhdohet mandati aktual i EULEX-it, veçanërisht pasi institucionet e Kosovës kanë kompetenca të plota dhe janë plotësisht kompetente të kryejnë çdo detyrë.

“Institucionet e Kosovës prej një kohë të gjatë janë në gjendje t’i marrin mbi vete të gjitha kompetencat që i ka mbajtur EULEX-i. Prandaj edhe ka qenë kërkesë e autoriteteve kosovare që mandati i EULEX-it dhe prezenca e BE-së të reduktohet në fushën e sundimit të ligjit dhe të jetë e njëjtë si në vendet tjera të rajonit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithatë, përkundër që presidenti Thaçi dhe BE-ja nuk kanë pasur letërkëmbim dhe negociata për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, Zyra e Presidentit konfirmon që është bërë presion që t’i vazhdohet mandati ekzistues.

“Ka pasur presion të madh, me javë të tëra, që të vazhdohet mandati ekzistues i EULEX-it. Por, presidenti Thaçi e ka bërë të ditur në çdo takim se mandati i EULEX-it u shty në vitin 2018 dhe kjo ka qenë hera e fundit që është zgjatur mandati i këtij misioni. Presidenti Thaçi në takimet me përfaqësuesit e BE-së dhe të EULEX-it është shprehur mirënjohës për ndihmën e vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe e vlerëson si të suksesshëm misionin e EULEX-it. Por, tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore. Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in, por do të pranojë çdo përkrahje në forcimin e rendit dhe ligjit nga ana e BE-së, ashtu si në vendet e rajonit. EULEX-i tanimë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë”, thuhet në fund të përgjigjes së Zyrës së Presidentit.

Loading...