Presidenti Meta: “Vrasja e Esat Pashës, akt shtetformimi”. A është ky një mesazh i koduar?
Transmetuar më 23-06-2020, 19:32

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka surprizuar sot teksa, në një fjalim për dekorimin e Ramadan Sokolit, foli për ngjarjet e një shekulli më parë, duke vlerësuar se vrasja në emër të popullit, nga Avni Rustemi, e ish kryeministrit Esat Pashë Toptani më 13 qershor 1920 në Paris, ishte një akt shtetformues.

Kreu i shtetit shkoi edhe më larg kur përmendi se rimëkëmbja e shtetit erdhi pasi u flakën në det pushtetuesit e vendit.

"Viti 1920 është një vit i bekuar në historinë e kombit e të shtetit shqiptar. Nis me një ngjarje të madhe siç ishte Kongresi i Lushnjes. Vazhdoi me një ngjarje tjetër në Paris, shumë të madhe që gjithashtu ishte një akt shtetformues. Dhe përfundoi me hedhjen në det të pushtuesve të fundit, duke i dhënë kështu jetë shtetit shqiptar dhe kurorëzuar me sukses ato tetë vite aq të mundimshme, të lodhshme e rraskapitëse që nga 28 Nëntori 1912".

Deklarata e Metës erdhi pasi i dorëzoi sot familjes së kompozitorit dhe pedagogut Ramadan Sokoli, dekoratën pas vdekjes, "Nderi i Kombit".

Frazat e përdorura sot nga Meta përkojnë fort me vlerësimet që opozita ka për pushtetin aktual. Liderët e opozitës, Basha dhe Kryemadhi, e cilësojnë qeverinë një klikë hajdute dhe pushtuese të popullit dhe pasurisë së tij. Po ashtu ata e cilësojnë Ramën si tradhtar të interesave të popullit duke bërë thirrje që ai të vritet politikisht dhe të rrëzohet nga pushteti që mban prej mëse shtatë vjetësh.

Në këtë pikë lind pyetja: A është Meta duke dhënë një mesazh të koduar dhe me qitje të largët? /a.b//noa.al/

Loading...