Transmetuar më 23-06-2020, 13:17

Unioni i Operatoreve të Transportit Publik ka reaguar pas njoftimit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu, për heqjen e të gjitha kufizimeve për transportin publik.

“Bazuar në fjalimin e fundit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po ju bëjmë me dije se Unioni i Operatorëve të Transportit Publik nuk mundet të rifilloi shërbimin për sa kohë nuk është plotësuar asnjë nga pikat e kërkuara. Me anë të kësaj deklarate përgënjeshtrojmë Ministren e Shëndetësisë, e cila tha: “Hiqen kufizimet për transportin publik”. Për sa kohë është në fuqi Urdhri i Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Nr.169 dt.5/6/2020 operatorët e transportit publik nuk e kanë të mundur të përballojnë kostot e respektimit të këtij protokolli, si financiare ashtu edhe ligjore”, thuhet në njoftimin e Unionit të Operatorëve të Transportit Publik.

Transporti publik është sektori i parë që u mbyll më 12 mars dhe nuk dihet ende se kur do të hapet.

Eneo Sulejmanaj, kreu i shoqatës së transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas pohon se 25-30 mijë punëtorët e këtij sektori janë në vështirësi të mëdha ekonomike. Pothuajse të gjithë kryefamiljarë. Me 130 mijë lekë të vjetra në muaj është e vështirë të mbijetosh, sidomos në Tiranë. Është e domosdoshme që të mendohet për këta punëtorë”, tha ai.

Z. Sulejmanaj u shpreh se shoqatat e transportit janë të vendosura të mos dalin në punë me vendimin e ri nga Ministria e Shëndetësisë, pa u plotësuar fillimisht kushtet e tyre që kanë të bëjnë me kundërshtimin e disa pikave në protokollin e sigurisë.

“Kemi dërguar edhe kundërshtimet tona për protokollin e sigurisë. Sipas tyre i bie që të punësojmë policë në vend të faturinove, duhet të mbetet në ndërgjegjen e njerëzve. Në këto kushte nuk nis transporti publik ditën e hënë. Pa plotësuar kërkesat, është një vetëvrasje të dalim në punë. Nuk kemi para të humbasim duke dalë në punë, deri tani jemi munduar të mbajmë edhe punonjësit me pagesa por s’mban më”, tha z. Sulejmanaj.

Ai paralajmëroi se nëse nuk do të ketë ende reagim nga qeveria, do të fiken edhe autobusët që deri më tani po përdoren për transportin e stafeve të kompanive në mënyrë që të mos ketë më asnjë lloj transporti.

Z. Sulejmanaj përgënjeshtroi edhe lajmin se iu janë falur taksat vendore, siç lajmëroi pak kohë më parë kryeministri Edi Rama.

“Dje na ka mbërritur fleta e pagesës së taksave vendore, për të cilat kryeministri tha se do i falte”, u shpreh ai.