Tirana në kohë pandemie, pa transport publik, por me koncert festiv(!)
Transmetuar më 22-06-2020, 23:23

Të vetmit autobusë që lëvizin në Tiranë me orare të përcaktuara janë ata që kryejnë transportin e personit mjekësor. Edhe terminalët e linjave ndërqytetase vazhdojnë të jenë të boshatisura.

Qytetarët janë të ndarë në dy kampe, ka nga ata që e kanë të domosdoshëm transportin publik dhe presin me padurim rikthimin e tij dhe të tjerë që mendojnë se në kushtet kur shifrat flasim për rritje të rasteve të të infektuarve me Covid-19 është më mirë që shërbimi të mos rifillojë.

Shoqatat e Transportit Publik kanë kërkuar të ulen në tryezë me autoritetet për të paraqitur kërkesat e tyre. Ata kërkojnë si rishikim të protokollit të sigurisë, ashtu edhe plotësimin e 4 kërkesave ekonomike: Heqjen e akcizës të naftës dhe taksave të karburanteve, uljen e TVSH nga 20 në 0 përqind për 2020 dhe 6 përqind 2021, rimbursimit e kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese, rimbursim i kategorive që e përfitojnë shërbimin falas. Ndërsa punonjësit e sektorit kanë kërkuar dhe një pagë shtesë.

Në anën tjetër, bashkia Tiranë po mbledh këngëtarë të shumtë për një koncert maratonë pesë orëshe, nesër pasdite, e martë në amfiteatrin e liqenit artificial. Një koncert që zyrtarisht, bashkia po e bën me rastin e heqjes më 23 qershor të gjendjes së jashtëzakonshme. Sesi do të realizohet ky koncert nuk jepen detaje nga bashkia dhe qeveria edhe pse noa.al kërkoi informacion zyrtar. Megjithatë Noa mësoi prej këngëtarëve se janë lajmëruar që në fillim të qershorit për këtë koncert ku do të paguhen me shuma të majme parash.

Loading...