Transmetuar më 22-06-2020, 07:14

Detaje të reja dalin nga ngjarja tragjike në Zvicër, ku vjehrri 56 vjeçar akuzohet se vrau nusen e djalit, por mbeti edhe vetë i plagosur duke shtuar dyshimet se ishte vetëmbrojtje. Ngjarja ndodhi në Pratteln të kantonit Baselland. Pas hetimeve, u mësua sesi vrasësi dhe viktima janë shtetas shqiptarë të Kosovës.

Mediat zvicerane shkruajnë për përkatësinë kosovare të familjes. Vjehrri Bamir T., 56 vjeç dhe djali i tij Enes, 27 vjeç, jetonin me të shoqen e këtij të fundit, Adelinën 27 vjeçe dhe me nipin 4 vjeçar deri një vit më parë. Pastaj familja e re ishte zhvendosur në shtëpinë e tyre, afër shtëpisë së babait dhe kanë ruajtur lidhjet e ngushta familjare. “Gjyshja shpesh kujdesej për djalin” thotë një fqinjë.

Por, mbetet e paqartë përse Bamiri 56 vjeçar e ka vrarë të renë Adelina T., 27 vjeçe dhe nënën e nipit. Një përfaqësues i familjes ka thënë për blick.ch se “ai mund të ketë vepruar në vetëmbrojtje. Ndoshta nusja e ka sulmuar, pasi edhe ai ishte plagosur, në dorë. Policia e Kantonit Bazel-Landschaft ka deklaruar se viktima është vrarë me thikë. Sfondi i mosmarrëveshjes mund të ketë qenë divorci i planifikuar në mes të çiftit të ri. Djali i 56 vjeçarit kishte marrë fshehurazi një avokat për të bërë divorcin, thonë anëtarë të familjes.

Në momentin kur nusja ka marrë vesh për planin e të shoqit, ajo thuhet se ka shkuar te vjehrra me djalin e saj dhe mund ta ketë fajësuar për problemet e saj martesore.

Mosmarrëveshja pastaj përfundimisht është përshkallëzuar. Sipas përfaqësuesit të familjes, gjyshja e ka marrë djalin dhe ka ikur nga banesa kur ka filluar zënka pasi që djali nuk duhej të vëzhgonte përshkallëzimin.

Gruaja e 56 vjeçarit dhe tre djemtë e tij tani kanë frikë nga gjakmarrja, shpjegon përfaqësuesi i familjes”.

Lagjja është në gjendje shoku. Aty personi tashmë i dyshuar për vrasje njihet si një njeri i sjellshëm dhe i dobishëm. “Unë mund të shpresoj vetëm se ishte vërtet vetëmbrojtje”, thotë njëri ndër fqinjët. Në galeri shihni pamje nga vendngjarja dhe foton e të dyshuarit.