Transmetuar më 17-06-2020, 16:21

OPINION nga Artan Fuga

Unë nuk e pranoj kurrë që maturanti shqiptar të trajtohet si fëmijë, si i metë mendor, si kalama, dhe për provimet që do t’i japin diplomën e pjekurisë (maturës) ta testojnë duke i treguar një fotografi banale dhe pak a shumë ta pyesin:

Çfarë sheh te fotoja të keqen teta ministre apo xhaxhi karamelja?

Kurrë nuk pajtohem që të fyejë dikush rininë e kombit tim! Ta harrojë i madh dhe i vogël!

Por, unë në studimin tim për ORIGJINAT E PUSHTETIT, PRONËS, PASURISË, në Shqipërinë pastotalitare që shtëpia botuese PAPIRUS sapo ka hedhur në treg në Shqipëri dhe Kosovë kam shpjeguar se ky synim për të debilizuar, lënë në injorancë, masakruar mendërisht rininë shqiptare, një vepër dhe krim antikombëtar, bëhet duke:

E orientuar rininë pra maturantët drejt diplomave universitare që i çojnë direkt e në papunësi.

Duke e formuar qysh gjimnazist e pastaj student në profile profesionesh që strukturohen brenda një ekonomie në krizë dhe ripordhojnë krizën edhe për dekada të tjera, duke i lënë pa biblioteka, pa libra, pa laboratore, pa praktika të vërteta dhe pa dije bashkëkohore për të prodhuar një qytetar injorant që rri sy hapur para pushtetarëve.

Për të akumuluar sunduesit pronë, pasuri, pushtet, arsim për veten e tyre dhe fëmijët e tyre që ta trashëgojnë pushtetin.

Për ta izoluar rininë shqiptare nga arti, kultura, shkenca europiane dhe botërore!

Nuk nisem thjesht nga një test që e trajton maturantin si qenie të ulët dhe e diplomon me pyetjen:

Shihe këtë foton, çfarë sheh atje?

Maturantët u treguan dinjitozë, përfunduan testin dhe protestuan, ata duhet ta kishin grisur testin dhe t’ua hidhnin në surrat inspektorëve, drejtorëve, karameleve, komiteteve, ministrave, ne pedagogëve duke më përfshirë edhe mua dhe duke na thënë :

Qërojuni pisa!

/NOA.al