Transmetuar më 17-06-2020, 09:58
Qendron Kastrati

Preket nga koronavirusi kryetari i Komunës së Kamenicës në Kosovë, Qëndron Kastrati.

Lajmin e ka bërë me dije nëpërmjet një mesazhi në Facebook, ku njofton se javën që lamë pas kishte pasur kontakte me një koleg nga Prishtuina, i cili kishte dalë pozitiv më vonë me Covid-19.

Kastrati bën me dije se është asimtomatik dhe se është vetizoluar në shtëpi, prej nga do të vijojë të ushtrojë detyrën.

Mesazhi i plotë i Kastratit

Të nderuar qytetarë të Kamenicës,

Javën e kaluar kam pasur kontakt me një koleg nga Prishtina. Para dy ditësh kolegu ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Në momentin që e kam kuptuar që ai ka bërë testin jam vetizoluar, ndërsa të hënën jam paraqitur për të bërë testin.

Sot jam informuar që testi ka dalë pozitiv. Nuk kam asnjë simptomë por do të qëndroj i vetizoluar sipas rekomandimeve të IKShPK-së. Do t’i dorëzoj të gjitha kontaktet e mia pranë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por ju lus të gjithëve që jemi takuar ditëve të fundit të vetizoloheni për disa ditë dhe të lajmëroheni nëse keni simptome.

Punët në Komunën e Kamenicës do të vazhdojnë me intensitetin e njëjtë, dhe unë do të vazhdoj të punoj nga shtëpia. /a.y/noa.al